Bota Donald Trump dhe Greta Thunberg përplasen në Davos

Donald Trump dhe Greta Thunberg përplasen në Davos

Ndryshimet klimatike, pasojat e të cilave janë të dukshme në shpeshtimin e katastrofave natyrore në gjithë globin, ishin në fokusin e ditës së parë të Forumit Ekonomik Global të Davosit. Aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg kritikoi liderët botërorë se nuk po dëgjojnë zërin e protestave të të rinjve në mbarë botën që kërkojnë masa kundër këtyre ndryshimeve.

Aktivistja adoleshente foli me tone të ashpra në një grup diskutimi të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, ndërsa përgëzoi protestat globale në mbrojtje të klimës.

Suedezja u bëri thirrje liderëve që t’i dëgjojnë thirrjet e të rinjve. “Klima dhe mjedisi janë çështje të rëndësishme tani, dhe kjo falë të rinjve. Por sigurisht, nëse e shikoni nga një këndvështrim tjetër, asgjë nuk është bërë përderisa emetimet globale të gazit të karbonit nuk janë reduktuar”, tha Greta.

Por Presidenti amerikan Donald Trump, ndër kundërshtarët më të mëdhenj të pakteve botërore kundër ndryshimeve klimatike, ironizoi në fjalën e tij aktivisten 17-vjeçare.

“Jam krenar t’ju njoftoj se Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet me ajrin dhe ujin e pijshëm më të pastër në botë dhe do të vazhdojmë t’i mbajmë kështu. Nuk është koha për pesimizëm, por për të mbështetur mundësitë e së ardhmes duke hedhur poshtë profetët e vjetër të fundit të botës me parashikimet e tyre për apokalipsin”.

Në forumin e Davosit që zgjat 4 ditë, marrin pjesë udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës, ekspertë, njerëz të famshëm dhe përfaqësues të botës së biznesit.