Extra Donald Trump dhe Michelle Obama, personat më të admiruar në SHBA

Donald Trump dhe Michelle Obama, personat më të admiruar në SHBA

Presidenti Donald Trump dhe ish-Zonja e Parë, Michelle Obama, janë burri dhe gruaja më e admiruar e vitit 2020, sipas një sondazhi të ri të Gallup.

Kjo është hera e parë që Trump ka kryesuar listën vetëm, duke i dhënë fund një kryesimi 12-vjeçar nga paraardhësi i tij, Barack Obama. Për Michelle Obama, është viti i saj i tretë radhazi si gruaja më e admiruar në Amerikë.

Për Trump, titulli pasqyron pjesërisht popullaritetin e tij të përhershëm midis republikanëve, madje edhe pas një viti të trazuar ku u kritikua gjerësisht për trajtimin e pandemisë dhe humbjen e zgjedhjeve.

Gallup vuri në dukje se pak republikanë emëruan dikë tjetër përveç presidentit, i cili mban një vlerësim të përgjithshëm prej 39%.

Ai pasohet nga Obama me 15%, që ndiqet nga Biden me 6% ndërsa dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive, doli i katërti me 3%.

Për gruan më të admiruar, Michelle Obama mori 10% të votave. Ajo pasohej nga zv.presidentja e zgjedhur Kamala Harris me 6% ndërsa zonja e parë Melania Trump doli në vendin e tretë me 4%.

Melania Trump doli e dyta pas Michelle Obama në vitin 2019 dhe ka qenë në mesin e 10 grave më të admiruara në katër vitet e fundit, megjithatë nuk e ka kryesuar listën asnjëherë.

Hillary Clinton, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Mbretëresha Elizabeth II, ishin gjithashtu ndër gratë më të admiruara.