Bota Donald Trump jep dritën jeshile për tranzicionin presidencial

Donald Trump jep dritën jeshile për tranzicionin presidencial

Presidenti Donald Trump tha të hënën se i ka hapur rrugën tranzicionit për presidentin e zgjedhur Joe Biden, duke udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me këtë proces, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse do të vazhdojë me sfidat ligjore.

Administrata e Shërbimeve Qeveritare (GSA) hapi dritën jeshile zyrtarisht për tranzicionin presidencial, pak pasi shteti i Miçiganit çertifikoi fitoren e demokratit Biden.

Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se administratorja e GSA-së Emily Murphy dhe ekipi i saj duhet “të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare dhe i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”.

Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i zotit Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.

Kjo gjithashtu bën të mundur që zoti Biden dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris të marrin njoftime të rregullta të sigurisë kombëtare që merr edhe zoti Trump.

Një deklaratë nga ekipi i tranzicionit i zotit Biden, thuhej se takimet do të fillonin me zyrtarët federalë lidhur me përgjigjen e Uashingtonit ndaj pandemisë së koronavirusit, së bashku me diskutimet e çështjeve të sigurisë kombëtare.

“Unë e marr seriozisht këtë rol dhe, për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë sfida ligjore dhe vërtetime të rezultateve të zgjedhjeve, po e dërgoj këtë letër sot për t’i bërë ato burime dhe shërbime të disponueshme për ju,” shkruante në letrën për presidentin e zgjedhur, Biden, administratorja e GSA-së, Murphy.

Megjithëse në Twitter, Presidenti Trump shkruante se i kishte rekomanduar zonjës Murphy të fillonte tranzicionin, ajo vetë shkruante në një letër për agjencinë e saj, se vendimi ishte “vetëm i saji”.

Më parë GSA kishte thënë se zonja Murphy, një e emëruar nga zoti Trump në vitin 2017, do të “konfirmonte” ose do të miratonte zyrtarisht, tranzicionin kur fituesi të ishte i qartë.

“Përkundër raporteve të medias dhe sugjerimeve, vendimi im nuk u mor nga frika ose favoritizmi”, shkruante zonja Murphy.

Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur pa prova se ai fitoi garën dhe ka kaluar javë të tëra duke ofruar pretendime të pabazuara për mashtrim të gjerë me votat, të cilat në mënyrë të përsëritur janë hedhur poshtë nga gjykatat.

Akti Presidencial për Tranzicionin i vitit 1963 nuk parashikon ndonjë afat të prerë brenda së cilit duhet të veprojë GSA, por agjencia ka vepruar historikisht pasi organizatat e medias parashikojnë fituesin, gjë që ndodhi më 7 nëntor.

Zoti Biden pritet të marrë detyrën më 20 janar pasi kishte fituar zgjedhjet me vota elektorale të mjaftueshme për të siguruar fitoren e Kolegjit Zgjedhor. Demokrati kryeson në votën popullore me më shumë se 6 milionë vota. Republikanët e tjerë janë distancuar gradualisht nga presidenti Trump ditët e fundit dhe kishin nxitur fillimin e procesit të tranzicionit.