Bota Donald Trump nuk e njeh fituesin e zgjedhjeve: Po hetojmë të dhëna...

Donald Trump nuk e njeh fituesin e zgjedhjeve: Po hetojmë të dhëna tronditëse

Presidenti amerikan në detyrë, Donald Trump, vazhdon të mos e njohë rezultatin e zgjedhjeve në shtetet e fundit që ishin vendimtare për fitoren e kandidatit demokrat, Joe Biden.

“Nevada po del të jetë një gropë e votave të rreme. Po hetojmë dhe të dhënat që do të publikohen do të jenë absolutisht tronditëse”, shkruan ai në Twitter.

“Wisconsin po duket shumë mirë. Do të duhet edhe pak kohë për një vendim ligjor. Do të ndodhë së shpejti”, shkruan Trump.

Duke u ndalur tek Pensilvania, Presidenti Trump thotë se atje u ndalua të shihej numërimi i fletëve të votimit. “E pamendueshme dhe e paligjshme në këtë vend”, vazhdon ai.

Sa i përket Xhorxhias, Trump thotë se “do të jetë një fitore e madhe presidenciale, ashtu siç ishte nata e Zgjedhjeve!”.

Trump shkarkon nga detyra sekretarin e Mbrojtjes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump njoftoi në rrjetet sociale se ka vendosur të shkarkojë nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper dhe se në vend të tij do të emërohet Drejtori i Qendrës Kundërterrorizmit, Christopher Miller

Vendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë për të larguar Esper erdhi dy ditë pasi kundërshtari i tij demokrat u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale, vendim të cilin Trump nuk e ka pranuar ende.

Sipas disa zyrtarëve të mbrojtjes, marrëdhëniet e tensionuara që Esper kishte me Trump e kishin bërë atë të përgatiste një letër dorëheqjeje disa javë më parë, si përpjekje për të shmangur shkarkimin nga presidenti.

Marrëdhëniet e Esper me Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të lëkundura për muaj të tërë, për të kulmuar në qershor kur ai tha se nuk mbështet përdorimin e trupave ushtarake aktive për të ulur protestat e mëdha që kishin përfshirë Shtetet e Bashkuara pas vrasjes së George Floys. Sipas Esper forcat ushtarake duhen përdorur në rolin e forcimit të ligjit vetëm në rast se dështojnë të gjitha mënyrat e tjera.