Aktualitet Donika Prela kalon Vettingun

Donika Prela kalon Vettingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmin në detyrë të drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Drejtuesi i seancës, Roland Ilia, sqaroi se: “Pas një denoncimi publik të përcjellë përmes mediave për këtë subjekt rivlerësimi trupi gjykues ka njoftuar me datën 28.01.2019 shtyrjen e seancës për zonjën Prela për në datën 05.02.2019 duke konsideruar të nevojshëm verifikimin e këtij denoncimi nëse kishte elementë apo indiciet e duhura për rihapjen e hetimit. Verifikimet u kryen javën që shkoi nga trupa gjykuese dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe verifikimet çuan në përfundimin se deri tani nuk ekziston asnjë indicie serioze që mund të çonte në hapje të hetimit”.

Me 4 shkurt trupi gjykues u mblodh për të marrë vendim për subjektin e rivlerësimit Donika Prela.

“Trupi gjykues pasi shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit, zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ për tre kriteret e vlerësimit, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancën  22 janarit 2019, vlerësoi të gjithë dokumentacionin shpjegues dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë përgjigjeve me rezultatet e hetimit si dhe atë të bërë prezent në seancën dëgjimore vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Donika Prela” deklaroi Roland Ilia.