Bota Dorëheqja e qeverisë në Rusi: Çfarë po kërkon realisht Putin

Dorëheqja e qeverisë në Rusi: Çfarë po kërkon realisht Putin

Kryeministri rus Dimitri Medvedev ka dhënë sot dorëheqjen së bashku me qeverinë e tij.

Dorëheqjen e ka njoftuar vetë Medvedev, menjëherë pasi Presidenti Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij vjetor të vendit, ku kërkoi ndryshime kushtetuese.

Ndërkohë presidenti Putin u kërkoi ministrave që të funksionojnë si qeveri e përkohshme derisa të formohet një e re. Dmitri Medvedev do të emërohet këshilltar i sigurisë në kabinetin e Putinit.

Çfarë kërkon Putin?

Është ende e paqartë se çfarë kërkon të bëjë Vladimir Putin në vitin 2024 kur nuk do të mund të kandidojë më si president. Por nga sot ai i ka hapur rrugën një ndryshimi radikal aspektit kushtetues të Rusisë.

Shefi i Kremlinit paralajmëroi ndryshime kushtetuese, sipas së cilave Parlamenti do të ketë më shumë fuqi.

Putin tha se qeveria e ardhshme duhet të zgjidhet nga deputetët e parlamentit. Ndërkohë që me Kushtetutë duhet të parashikohen edhe kushte më të rrepta për kandidatët për president. Reformat duhet të bëhen përmes referendumit, por deri tani nuk ka ndonjë datë të caktuar për mbajtjen e tij. Fjalimi i Putinit është transmetuar jo vetëm në gjithë vendin, por edhe në stacionin e gjithësisë ISS.

Kritikët thonë se Putini në këtë mënyrë po planifikon të sigurojë qëndrimin në pushtet edhe pas vitit 2024, kur skadon mandati i tanishëm i tij si president. Dyshohet se ai planifikon të kalojë më pas në postin e kryeministrit (siç bëri 12 vite më parë) dhe të vazhdojë sundimin në Rusi. Ndërsa me ndryshimet kushtetuese parashikohet forcimi i postit të kryeministrit, të cilin ai do ta ushtronte pas vitit 2024.

Putini është në pushtet prej plot 20 vjetësh, nga 31 dhjetori i vitit 1999, kur ka zëvendësuar presidentin e atëhershëm Boris Jelcin. Deri në vitin 2008 ishte president, ndërsa në periudhën 2008-2012 kryeministër. Në vitin 2012 ka këmbyer pozicionet me Medvedevin dhe ka marrë postin e presidentit ku do të jetë deri në vitin 2024.

Kryeministri i ri

Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar kreun e Shërbimit Federal të Taksave si kandidat për postin e kryeministrit pasi qeveria dha dorëheqjen më herët.

Mikhail Mishustin, 53 vjeç, ka një karrierë të gjatë si zyrtar qeveritar. Ai drejton Shërbimin Tatimor të Rusisë që nga viti 2010.

Putin është takuar me Mishustin dhe i ka ofruar atij pozicionin e Kryeministrit të cilin ai e pranoi, tha Kremlini në një deklaratë zyrtare./American Eye