Kryesore Dorëheqja e Tahirit, flasin analistët: Kush fitoi, Rama, Meta apo Basha?

Dorëheqja e Tahirit, flasin analistët: Kush fitoi, Rama, Meta apo Basha?

Largimi i ministrit më të fuqishëm në PS sipas këndvështrimit të Fatos Lubonjës, Mero Bazes, Andi Bushatit dhe Blendi Fevziut

Vendimi i Edi Ramës për largimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri nga qeveria ka gjetur të papërgatitur shumëkënd.

Shumë shpejt kanë nisur tezat e konspiracionit për largimin e beftë të Tahirit. Disa e lidhin dorëheqjen e Tahirit me presionin e Ilir Metës, disa si kërkesë të shërbimeve inteligjente të huaja, për të tjerë si efekt i çadrës së opozitës, por edhe si lëvizje taktike të Ramës

Largimi i Tahirit ka zënë në befasi edhe analistët që kanë dhënë sot versione të ndryshme për largimin e ministrit e Brendshëm.

Por kush fitoi nga largimi ministrit më të fuqishëm në PS? Ilir Meta, Lulzim Basha apo vetë Edi Rama?

Për Fatos Lubonjën, kryeministri Edi Rama po bën një manovër dhe situata nuk i ka rrëshqitur nga duart.

Unë mendoj që më gjasa ka që për të zgjidhur këtë lloj krize që ka krijuar futja e opozitës në protestë, në cadër me kërkesën që dihet është dorëheqja e kësaj qeverie dhe krijimi i një qeverie teknike.

Nga Rama dhe pjesa, nuk e di në këtë rast sa është Meta brenda, vjen një lloj opsioni që thotë ju doni qeveri teknike, ne s’ju japim qeveri teknike, ne jemi në pushtet, por unë po heq ata ministra që do merren me fushatën që të të heq ty një alibi që këta ministra do manipulojnë zgjedhjet.

Tregon se s’kemi një rrëshqitje të situatës nga duart e kryeministrit, por duket sikur do të bëjë një manovër për të ruajtur gjithçka”, tha analisti Fatos Lubonja.

Por për Blendi Fevziun, të fituar nga largimi i Tahirit kanë dalë Basha dhe Meta, ndërsa Rama sipas tij, humbi betejën e nervave.

Tahiri ka qenë objekt shkëmbimi për koalicionin e ardhshëm. Ai ka qene ne qendër të sulmeve të Ilir Metës dhe me gjase, Meta është një nga shkaqet e largimit të tij. I trembur nga protesta dhe nga afria e Metës me të. Nën presionin qe asnjanësia e Metës mund ta stimulonte protestën, me gjase Rama ka vendosur të sakrifikojë Tahirin qe Meta të deklarohet që tani për koalicionin. Me këtë veprim Rama mendon se do dekurajojë PD dhe protestën e saj.

Jemi ende në territorin e hipotezave, por një gjë është e sigurt. Protesta po jep rezultat dhe Rama e dëshmoi këtë. Ai e humbi i pari luftën e nervave dhe sot, Basha dhe Meta janë më të fortë se sa Rama”,shkruan Fevziu.

Por ndryshe nga Fevziu mendon Andi Bushati.

Sipas tij, cilado qofshin arsyet që kanë nxitur largimin e Tahirit, ato nuk kanë lidhje me çadrën.

Deri më tani ka dy versione kryesore për këtë ngjarje.

Varianti i parë që qarkulloi për këtë akt të papritur ishte presioni i madh i Ilir Metës. Me sulmet e vazhdueshme që zgjasin prej dy vjetësh, por sidomos me breshëritë e fundit që e njollosën ministrin e Brendëshëm si një vjedhës potencial zgjedhjesh, madje edhe nga homologë të tij, kreu i LSI-së, arriti më në fund ta marrë kokën e “armikut” të tij.

Ata që mbrojnë këtë version këmbëngulin se Meta e arriti atë që donte si kushtin e vetëm të vazhdimit të aleancës me Ramën. Ata thonë gjithashtu se kreu i LSI po e përdor këtë edhe si një shkelje syri për PD-në duke e ftuar në një bashkëpunim në distancë që do e godiste kryeministrin pas krahëve.

Varianti i dytë është ai që pretendon se pavarësisht presionit të aleatit qeveritar, fati i Saimir Tahirit u vulos nga ndërkombëtarët. Pakënaqësia e shërbimeve të huaja, raportet e tyre për dështimin e luftës kundër narkotrafikut, ia bënë Ramës të pamundur ta mbronte atë. Ata që mbështesin këtë version flasin për disa raporte sekrete shërbimesh inteligjente kundër Tahirit që përcaktuan përfundimisht fatin e tij.

Por, kushdo që nga këto hipoteza të jetë e vërtetë, opozita nuk ka arsye pse të gëzohet. Sepse edhe nëse veproi i nënshtruar dhe i leckosur nga presioni i Metës, edhe në të kundërt, nëse u detyrua të reagojë nga insistimi i ndërkombëtarëve, Edi Rama nuk po e paraqet “shitjen” e ministrit të tij, si një shenjë reflektimi”, shkruan Bushati.

Ndryshe nga analistët e mësipërm ka Mero Baze.

I njohur tashmë për afërsinë e tij me Ramën, Baze thotë se nuk ka dorëheqje, as imponim.

Sipas Bazes e gjitha ka të bëjë me një taktikë elektorale të Ramës.

Perceptimi se Edi Rama po dorëzonte Saimir Tahirin, nën presionin e Ilir Metës dhe opozitës, ishte një goditje e fortë për të, biles një gjë shumë më e dëmshme, se sa të ikte vetë Edi Rama.

Një lëvizje të tillë naive dhe frikacake, e pat bërë Sali Berisha në 1 mars të 1997, duke shkarkuar qeverinë Meksi për të shpëtuar vetë, por 9 ditë më vonë dorëzoi pushtetin.

Në këtë pikë perceptimi i asaj që po bënte Rama paradite ishte politikisht jo korrekte dhe një dorëzim pa u hedhur ende pushkë e parë.

Këtë duket se e ka ndjerë dhe vetë Edi Rama, i cili filloi të sqarojë shtypin se nuk bëhet fjalë për ndonjë dorëheqje të Saimir Tahirit, apo ndonjë pazar për dorëheqje të tij, por për një skemë politike të Ramës, për ndryshime në qeveri për qëllime elektorale….

…Politikisht Edi Rama po bën një përpjekje për të konsumuar shanset e kërkesave të opozitës. Meqë opozita është përqendruar tek emrat dhe tek ndryshimet në qeveri, të bindur se Rama nuk do t’i dorëzojë ata, ai po konsumon ndryshime politike në funksion të skemës së tij elektorale, për të mos biseduar me opozitën, por me socialistët” shkruan Mero Baze.