Aktualitet Dorëzon unazat dhe i jep fund martesës para Ardit Gjebreas

Dorëzon unazat dhe i jep fund martesës para Ardit Gjebreas

Dy unaza, një e fejesës dhe tjetra e martesës. “Siç iku ai pa më pyetur mua, edhe unë po e them këtu mes të gjithëve se ia dorëzoj Vinit unazën pa e pyetur…”

Për këtë kishte ardhur sot në programin “Ka një mesazh për ty” Ruzhdia, e cila ka kaluar një jetë aspak të qetë. Të atin e kishte humbur në moshën 10-vjeçare, por nëna e saj luftoi që asaj dhe fëmijëve të tjerë të mos u mungonte asgjë.

Por martesa me Vinin nuk shkoi ashtu siҫ kishte pritur. Prindërit e bashkëshortit, gjatë gjithë kohës ishin përpjekur që ta shfrytëzonin financiarisht dhe para një muaji, bashkëshorti e braktisi duke e lënë me një djalë 1 vjeç.

E ftuar në “Ka një mesazh për ty”, Ruzhdia tregon se problemet financiare ishin bërë shkak që ajo t’i jap fund kësaj martese, nga e cila kishte kuptuar se prindërit e bashkëshortit dhe ai vetë donin vetëm të përfitonin nga ajo.

Para publikut të së Dielës Shqiptare, Ruzhdia tregoi peripecitë që kishte kaluar për mungesën e të ardhurave dhe sakrificat që i duhet të bënte për familjen. Kur vjehrri dhe bashkëshorti kishin mbetur pa punë, ajo ishte detyruar të punonte si pastruese për të siguruar bukën e gojës.

Ndërkohë, prindërit e Vinit nuk pranonin të jetonin në shtëpinë e djalit tjetër që ishte më e madhe, por vazhdonin të këmbëngulnin për të marrë lekë nga ajo që të ndërtonin një shtëpi tjetër. Por Ruzhdia nuk kishte pranuar dhe kjo ishte një arsye më shumë pse ata filluan të silleshin keq me të, derisa Vini, një ditë i telefonoi për t’i thënë se ishte larguar në Gjermani.

Në kushtet e një presioni të madh psikologjik, Ruzhdia vendosi t’i japë fund kësaj martese. Ajo tha se është lodhur duke duruar pa fund, duke sakrifikuar, duke pritur. Vini nuk bëri asnjëherë asgjë për familjen e tyre, por gjithmonë atë që kanë dëshiruar prindërit, ndaj ajo e kishte vendosur.

Në studion e së Dielës Shqiptare, Ruzhdia la mënjanë dy unazat dhe tha se ishte e vendosur dhe nuk do të kthehej më pas.

Pasi Arditi e pyet se ç’do të bënte nëse Vini do t’i kërkonte të kthehej, ajo tha e vendosur se nuk do të kthehej më pas: “Jo, Ardit. Jam lodhur, e kam vendosur t’i lë këto unaza. Më kanë bërë shumë të vuaj ata njerëz…”

Të ftuar në “Ka një mesazh për ty”, Ruzhdia kishte nënën e saj, së cilës i kërkoi të ishte krenare për të, edhe pas këtij vendimi të rëndësishëm që ajo mori për jetën. Pasi deklaroi e vendosur që të mos kthehej më te bashkëshorti, ajo iu drejtua së ëmës me një mesazh: “Unë dua që për mua ta mbash kokën lart. Pa mbështetjen tënde dhe të vëllezërve, nuk do të bëja asgjë. Do ta rrisim djalin tim bashkë. Ai do të bëhet një fëmijë i zgjuar”,- tha Ruzhdia.

E ëma tha se e ka mbështetur gjithmonë të bijën, edhe pse nuk e ka nxitur asnjëherë për të bërë gjëra kundër dëshirës së saj. Po ashtu, ajo tha se e kupton shumë mirë që edhe durimi ka një kufi.

Pas bashkimit dhe përqafimit me të ëmën, Ruzhdia tha se nga vuajtjet dhe dhimbjet që i kanë shkaktuar ata njerëz, ajo kishte harruar se në botë ka edhe njerëz të mirë, duke iu referuar edhe organizatorëve të Tv Klan dhe rubrikës “Ka një mesazh për ty.”