Kryesore Dosja “Babale”, Salianji dënohet me një vit burg. Ish-deputeti: Do ta çoj...

Dosja “Babale”, Salianji dënohet me një vit burg. Ish-deputeti: Do ta çoj në Strasburg

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është dënuar me një vit burgim nga Gjykata Penale e Tiranës, i akuzuar për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”.

Albert Veliu u dënua me 3 vjet 5 muaj burg, Fredi Alizoti me 2 vjet burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi është dënuar me 6 muaj burg, dënim që konvertohet 100 orë pune në publik.

Ish-deputeti Salianji tha se e priste këtë vendim dhe ka akuzuar gjyqtarin Artan Gjermeni, ndërsa ka theksuar se vendimi i sotëm do të apelohet.

“Ishte një vendimmarrje e shkruar shumë më përpara. Ka disa shkelje të qarta. Po ky gjyqtar në një çështje time me një përfaqësues lokal të Partisë Socialiste është tërhequr për konflikt interesi. Nuk ka qelbësira në këtë vend që as më ndalin dot dhe as më izolojnë dot. Së pari është apelimi dhe pastaj ndjekja në çdo seancë gjyqësore dhe nëse vazhdohet me këtë situatë deri në Gjykatën e Strasburgut”, tha Salianji.

Edhe ish-deputeti tjetër i PD Gazment Bardhi, hodhi akuza të rënda ndaj gjyqtarit Artan Gjermeni, për të cilin tha se është anëtar i bandës së Lushnjes.

“Sot Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi nuk janë dënuar nga drejtësia, janë dënuar nga një anëtar i bandës së Lushnjes. Ky vendim për dënimin e përfaqësuesit të opozitës jo vetëm nuk do të na ndalë në betejën e përditshme por na bën më të fortë për të vazhduar betejeën jo vetëm me përfaqësuesit e krimit në qeveri por edhe me përfaqësuesit e krimit në Prokurori. Artan Gjermeni do të dalë në procesin e Vettingut dhe do të shikoni provat që Artan Gjermeni është anëtar i bandës së Lushnjes. Sot Ervin Salianji është dënuar nga banda e Lushnjes. Gjyqtari Artan Gjermeni është anëtar i bandës së Lushnjes. Sot është bërë bashkë banda e Lushnjes me bandën e Agron Xhafës”, tha Gazment Bardhi.