Aktualitet Dosja CEZ/ Balla shkresë Gjykatës: Pse duhet të përjashtohet Fatmira Hajdari

Dosja CEZ/ Balla shkresë Gjykatës: Pse duhet të përjashtohet Fatmira Hajdari

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar sot përjashtimin e gjyqtares, Fatmira Hajdari nga gjykimi i padisë së Kuvendit për privatizimin e CEZ-së.

Përmes një shkrese drejtuar Gjykatës së Apelit mbi këtë proces, ku palë e akuzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij, Shkëlzen Berisha, Balla thotë se kërkon përjashtimin e gjyqtares Hajdari për shkak të miqësisë familjare të saj me të akuzuarit.

“Gjyqtarja Fatmira Hajdari e cila është caktuar si anëtare e trupës gjyqësore që do të shqyrtojë ankimin e depozituar nga Kuvendi, ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 17 pika 1 shkronja “ë” të Kodit të Procedurës Penale, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie.

Gjyqtaria Fatmira Hajdari ka miqësi familjare me ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjaret e tij, fakt ky i njohur botërisht.

Ne kushtet kur kallëzimi i Kuvendit implikon shtetasit Shkelzen Berisha dhe Sali Berisha për lidhje me shtetasin Ndue Kalaj i dyshuar për ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, pjesëmarrja e gjyqtares Fatmira Hajdari në shqyrtimin e ankimit të depozituar nga Kuvendi, duke qenë së ka miqësi të afërt më familjen Berisha, përbën shkak për njëanshmëri në shqyrtimin e çështjes”,- thuhet në letrën që kreu i grupit Parlamentar të PS i ka drejtuar Apelit.