Kryesore Dosja për lobimin rus përfundon në Gjykatë: Sa rrezikon Basha për t’u...

Dosja për lobimin rus përfundon në Gjykatë: Sa rrezikon Basha për t’u dënuar?

Prokuroria e Tiranës ka dërguar dosjen hetimore për financimin rus të lobimit në SHBA të Partisë Demokratike.

Në këtë dosje përveç Bashës, persona nën hetim janë edhe Arben Ristani, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, si dhe Ilir Dervishi, financieri i PD-së.

Në seancë paraprake do të vendoset nëse ai do të përfundojë apo jo i pandehur.

Që të tre akuzohen për falsifikim të vulave dhe stampave, ndërsa është pushuar hetimi për pastrim të produkteve të veprës penale. Me ligjin e ri, kompetent është prokurori i çështjes. Dosja e Prokurorisë është dërguar në ditën e fundit të limiteve kohore. Tashmë pritet që brenda 10 ditëve të hidhet shorti për të përcaktuar trupën në seancën paraprake.

Pas përcaktimit të trupës, gjykata në seancën paraprake mund të marrë tre vendime; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur.

Akuza

Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA. Dosja u tentua të dërgohej në nëntor, por solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës. Kjo pasi Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por kolegu i tyre Kole Hysenaj ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore dhe marrjen e deklarimeve të Nik Muzin. Megjithatë vendimi është marrë 2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë, ku pritet që të caktohet trupa që do ta gjykojë.

Sa rrezikon Basha për t’u dënuar?

Referuar nenit 190 të Kodit Penal në veprën penale të parashikuar në paragrafin e tretë mbi bazën e të cilit akuzohen tre të pandehurit, kjo vepër penale dënohet me burgim nga 3 deri në shtatë vite burg, ose me gjobë nga 1-3 milionë lekë. Po parashikohen edhe dënime të tjera në rast se kjo vepër kryhet në bashkëpunim.