Aktualitet Dosja “Vollga”, pushohen hetimet për pastrim parash për Emiljano Shullazin

Dosja “Vollga”, pushohen hetimet për pastrim parash për Emiljano Shullazin

Gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet për akuzën e pastrimit të parave për Emiljano Shullazin lidhur me rastin e ish-hotel Vollgës në Durrës.

Hetimet janë pushuar edhe për biznesmenin Ylvi Beqaj i përfshirë në këtë çështje dhe për 3 gjyqtarët dhe ish-kryesekretaren dhe ish-kancelaren e Gjykatës së Durrësit për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Emiljano Shullazi, i dënuar me 14 vite burgim si kreu i një grupi kriminal gjobëvënësish, dyshohej për pastrim parash kur mori në pronësi 20% të ish-hotel Vollgës nga biznesmeni Ylvi Beqaj. Sipas dyshimeve, ky i fundit i kishte premtuar Shullazit kalimin e pronësisë nëse e ndihmonte me regjistrimin e kësaj prone.

Ndërsa tre gjyqtarët, ish-kryesekretarja dhe ish-kancelarja e Gjykatës së Durrësit dyshoheshin se kishin shpërdoruar detyrën duke ndikuar në regjistrimin e kësaj prone në Hipotekë.

Por pas veprimeve hetimore të kryera, Gjykata e Tiranës ka vendosur se në këtë çështje nuk ka elementë të veprës penale.

Biznesmeni Ylvi Beqaj është dëshmitari kundër Emiljano Shullazit në gjyqin që zhvillohet tek Krimet e Rënda. Biznesmeni Beqaj ishte që personi denoncoi Shullazin për gjobëvënie dhe më pas bashkëpunoi me drejtësinë në proceset gjyqësore kundër Shullazit. Aktualisht, gjykimi për Shullazin për akuzën e gjobëvënies dhe të grupit të strukturuar kriminal është në Apelin e Krimeve të Rënda, pasi Shkalla e Parë e kësaj gjykate e dënoi me 14 vite burg.