Politika Draft-raporti për Shqipërinë, Santos: Të ruhet marrëveshja e 5 qershorit

Draft-raporti për Shqipërinë, Santos: Të ruhet marrëveshja e 5 qershorit

Ndërsa prezantoi draft-raportin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos, bën thirrje për plotësim të kushteve të BE-së dhe ruajtje të marrëveshjes së 5 qershorit për ndryshimin e kodit zgjedhor.

“Ky është draft fillestar, që me shumë gjasë, ashtu siç ndodh shpesh do të ndryshojë. Patjetër që jemi përqendruar te reformat. Pikëpamjet tona nuk kanë ndryshuar dhe në draft-raportin tim, ku kam ndjekur edhe pikëpamjet e KE. Kërkesat që ka bërë KE duhet të plotësohen.

Jam e shqetësuar për shoqërinë civile, për pjesëmarrjen e saj në proceset politike, duhet më shumë transparencë. Duhet të vijojë reforma kundër korrupsionit e krimit të organizuar e të përfundohet Reforma në Drejtësi. Të gjitha forcat politike duhet të përfshihen në normalizimin e jetës politike në vend. Shqetësim tjetër është e ardhmja e vendit, me një popullsi të re dhe të talentuar. Shumë të rinj po largohen nga vendi, duhet të krijohen kushtet që brezi i ri të qëndrojë, gjithashtu duhen krijuar mundësitë që të gjithë ata që janë larguar, të rikthehen.

Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kushtet që ne i kemi vendosur, para nisjes së procesit të anëtarësimit. Pavarësisht kushteve të pandemisë, Shqipëria ka punuar shumë për të plotësuar kushtet e reformat që janë ndërmarrë. U bë një marrëveshje e 5 qershorit që duhet të ruhet, në të mirë të vendit, sepse dëshira e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE është e madhe”, ishin fjalët e Santos.