Bota Dragonjtë në rrezik, autoritetet: Të mbyllet ishulli për vizitorët

Dragonjtë në rrezik, autoritetet: Të mbyllet ishulli për vizitorët

Autoritetet indoneziane po shqyrtojnë mbylljen e përkohshme të ishullit të famshëm Komodo për të mbrojtur lizardët gjigantë, të quajtur ndryshe ‘Dragonjtë Komodo’.

Midis rreziqeve që kanë këto krijesa të mrekullueshme, një ndër to janë efektet e turizmit të tepruar – 10 mijë njerëz vizitojnë grupin e ishujve në Parkun Kombëtar Komodo çdo muaj. Së dyti rreziku vjen nga trafikantët e këtyre kafshëve. Ditët  e fundit janë arrestuar pesë persona që shisnin në Facebook 5 zvarranikë si dhe kafshë të tjera nga ky ishull.

Për momentin, Xhakarta ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për mbylljen e përkohshme, që do të kishte të bënte vetëm me ishullin e Komodos, ku do të strehohen rreth 2,300 dragonj. Pritet raporti i një ekipi të dërguar në vend nga Ministria e Mjedisit dhe Pyjeve, e cili duhet t’iu paraqitet autoriteteve  në korrik.

“Dragonjtë Komodo” (Varanus komodoensis) i përkasin familjes Varanus dhe janë lizardët më të mëdhenj në planet. Ata mund të tejkalojnë 3 metra gjatësi dhe arrijnë një peshë mbi 160 kilogramë. Ushqehen me kafshë që janë shumë herë më të mëdha se vetë lizardët, por kafshimi i tyre është jashtëzakonisht toksik dhe i fuqishëm.