Kuriozitete Drejt zgjidhjes misteri shumëshekullor i materies dhe antimateries

Drejt zgjidhjes misteri shumëshekullor i materies dhe antimateries

Një element më shumë për t’i dhënë përgjigje një misteri shumëshekullor. Pse në univers ka më shumë materie se antimaterie? Një përgjigje e pjesshme mund të gjendet në studimin e kryer nga fizikantë të Universitetit të Skocisë Perëndimore.

Në studimin e botuar në revistën shkencore “Nature Physics”, fizikantët kanë zbuluar se një nga izotopet e elementit torium ka bërthamën më të dendur, e cila ende nuk është analizuar në detaje. Bërthamat e ngjashme me torium-228 tani mund të përdoren për të kryer teste të reja, të cilat shpresohet se mund të japin një përgjigje për materien dhe antimaterien.

Fizika shpjegon se universi është i përbërë nga grimca themelore siç janë elektronet, të cilat gjenden në çdo atom. Modeli Standard, teoria bazë me të cilën fizikantët shpjegojnë vetitë nën-atomike të të gjithë materies në univers, thotë se çdo grimcë themelore mund të ketë një antigrimcë të ngjashme. Të gjitha antigrimcat, që janë pothuajse identike me homologet e tyre të materies, përveçse mbajnë ngarkesë të kundërt, njihen si antimaterie.

Sipas Modelit Standard, materia dhe antimateria duhet të ishin krijuar në sasi të barabarta në kohën e shpërthimit të madh që qëndron në origjinë të universit (Big Bang), megjithatë universi ynë është i përbërë pothuajse tërësisht nga materia.

Në teori, një moment elektrik dypolësh (EDM) mund të lejojë që materia dhe antimateria të shkatërrohen me ritme të ndryshme, çka shpjegon edhe asimetrinë e materies dhe antimateries në univers.

Bërthamat në formë dardhe janë propozuar si sisteme fizike ideale në të cilat të kërkohet ekzistenca e një EDM në një grimcë themelore, si elektroni. Forma e dardhës do të thotë që bërthama gjeneron një EDM dhe këtë e bën duke i shpërndarë protonet dhe neutronet në mënyrë jo të njëtrajtshme në të gjithë vëllimin bërthamor.

Përmes eksperimenteve të kryera, studiuesit kanë zbuluar se bërthamat në atomet e torium-228 kanë formën më të theksuar të dardhës që është zbuluar deri më tani. Si rezultat, bërthamat si torium-228 janë identifikuar si kandidatët idealë për të kërkuar ekzistencën e një EDM-je.

Eksperimentet filluan me një mostër të torium-232, i cili ka dhjetëra miliarda vjet jetë, që do të thotë se shkatërrohet shumë ngadalë. Zinxhiri i shkatërrimit të kësaj bërthame krijon gjendje të të nxitur mekanike kuantike të bërthamës torium-228. Gjendje të tilla avancojnë brenda nanosekondave të krijimit, duke lëshuar rrezet gama.