Kryesore Drejtimi i Bashkisë së Tiranës, Veliaj firmos ndryshime nga burgu, por Rama...

Drejtimi i Bashkisë së Tiranës, Veliaj firmos ndryshime nga burgu, por Rama i kundërshton

Erion Veliaj dhe Sara Goxhaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur nga burgu zëvendësimin e Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës. Veliaj këto kompetenca ia ka deleguar nënkryetares tjetër të Bashkisë, Sara Goxhaj.

Në vendimin e Veliajt theksohet se Sara Goxhaj do të kryejë përkohësisht edhe detyrat e kryetarit të bashkisë Tiranë nga data 19 Mars, deri në një urdhër të dytë.

Vendimi i firmosur nga Veliaj

Ndërkohë kjo shkresë e Veliajt mban datën 18 mars. Pas arrestimit të kryebashkiakut këtë detyrë e mbante Anuela Ristani nga 11 shkurti deri ne 18 mars kur u firmos vendimi tjetër.

Por këto lëvizje nuk kanë marrë miratimin e kryeministrit Edi Rama, i cili mbrëmë në një vizitë në Bashkinë e Tiranës ka zhbërë gjithçka.

Burimet bëjnë të ditur se ai i ka kërkuar Protokollit që të mos protokollojë urdhrin e nxjerrë nga Veliaj për marrjen e detyrave të kryetarit të Bashkisë nga Sara Goxhaj, duke e larguar këtë të fundit nga pozicioni si dhe ka konfirmuar në detyrë Anuela Ristanin.

Nëpër qarqet mediatike flitet se kohët e fundit ka nisur një “luftë e ftohtë” mes Ramës dhe Veliajt, dhe kjo mesa duket është reflektuar me ndryshimet në Bashkinë e Tiranës në 24 orët e fundit.

Pas burgosjes së Veliaj, Rama dhe Anuela Ristani, kanë qenë së bashku në disa inspektime dhe inaugurime të punëve të Tiranës.