Ekonomi Drejtoria e Tatimpaguesëve të Mëdhenj takim për paketën fiskale

Drejtoria e Tatimpaguesëve të Mëdhenj takim për paketën fiskale

Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka zhvilluar një takim informues me 360 konsulentë fiskalë për prezantimin e ndryshimeve në legjislacionit tatimor në kuadër të Paketës Fiskale 2019.

“Qëllimi i këtij takimi është njohja me këto ndryshime, zbatimi sa më korrekt dhe informimi i duhur i tatimpaguesve. DTM në çdo kohë, përmes strukturave të saj do të jetë e gatshmë të ofrojë asistencë profesionale, në mënyrë që të gjitha ndryshimet ligjore të kuptohen sa më drejtë”, tha Drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj znj.Enkeleida Pipa. Ajo i ftoi përfaqësuesit e tatimpaguesve të mëdhenj që të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit të vëna në dispozicion nga ana e administratës tatimore, për t’u njohur me ndryshimet në legjilacionin tatimor dhe për t’i zbatuar ato sa më drejtë.
Përfaqësuesit e tatimpaguesve të mëdhenj paraqitën propozimet e tyre konkrete.

Paketa Fiskale 2019, ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administra, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.

Kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si : bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit etj.; reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.

Në vazhdimësi Administrata Tatimore do të njohë tatimpaguesit në mënyrë më të detajuar me ndryshimet në udhëzime që kanë hyrë tashmë në fuqi.