Sport Drejtuesit e Chelseat dhe Benficas gati sa nuk u përleshën fizikisht për...

Drejtuesit e Chelseat dhe Benficas gati sa nuk u përleshën fizikisht për Enzo Fernandez. Rui Costa: Më mirë që iku

Rui Costa dhe Enzo gjate prezantimit te Chelsea

Njëri nga transferimet më të bujshme të merkatos së janarit ishte ai i Enzo Fernandez te Chelsea, për një shumë rekorde prej 120 milionë eurosh.

Benfica insistonte se Enzo nuk është në shitje, por Chelsea ofroi çmimin që e klauzolës së lojtarit, gjë që e detyroi këtë të fundit ta lejonte largimin e yllit që e fitoi Kupën e Botës me Argjentinën.

Krerët e Chelseat punuan fortë për të arritur marrëveshje në çastet e fundit të merkatos së janarit, ndërsa, bëhet e ditur se bisedimet mes dy klubeve ishin gati të prodhonin diçka josportive.

“Record” bënë të ditur se krerët e Chelseat dhe ata të Benficas u përshkallëzuan deri në pikën kur ishin shumë afër të përlesheshin fizikisht për marrëveshjen për Enzon.

Një operacion që presidenti i Shqiponjave, Manuel Rui Costa, e ka komentuar me fjalë paksa të ashpra në një intervistë të dhënë për Bëin Portugal.

Presidenti i Benficas tha mbrëmë se dëshira e tij ishte që Enzo të qëndronte, por se argjentinasi e kishte mendjen vetëm te kalimi te Chelsea.

“Nga momenti në të cilin ka kuptuar se do ta paguanin klauzolën, Enzo ka qenë i padurueshëm. Kemi këmbëngulur, por nuk ka treguar asnjë shenjë se kishte dëshirë të vazhdonte te Benfica.

I propozova Chelsea-t që ta linte te ne deri në verë dhe më pas ta merrte për një çmim më të ulët. Futbollisti, edhe pas këtij propozimi, nuk ka dashur të vazhdojë te Benfica”, ka shpjeguar Rui Costa.

“Dhe ka qenë këtu që gjithçka ka ndryshuar. Një lojtar që, edhe me mundësinë për të mos humbur asnjë euro dhe me një kontratë të sigurt me Chelsea-n, nuk do të qëndrojë, nuk mund të vazhdonte të luante te Benfica. Enzo Fernandez nuk do të mund të hynte më në dhomat e zhveshjes”.

Dhe akoma: “Shpresoja që të donte të luftonte me ne për titullin. Kur e kam kuptuar se nuk donte, nuk doja as që ta vishte përsëri fanellën e Benfica-s”.

“Te Benfica, dhe kjo vlen edhe për ekipet e moshave, ka vetëm lojtarë krenarë që veshin fanellën e Benfica-s. Jam i trishtuar, por nuk do derdh lot për një lojtar që nuk donte të qëndronte”.