Aktualitet Dritan Dajti i shpëton burgut përjetë

Dritan Dajti i shpëton burgut përjetë

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.

Apeli i Krimeve ka pranuar kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke e dënuar atë përfundimisht me 25 vite burg.

Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht.

Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 15 vite burg.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.