Aktualitet Droga në Skrapar, gjykata lë në qeli 16 persona. Zbardhet përgjimi i...

Droga në Skrapar, gjykata lë në qeli 16 persona. Zbardhet përgjimi i policit

Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar, ka lënë në burg 16 persona, të përfshirë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit në zonën e Skraparit.

Katër të tjerë janë lënë në arrest shtëpie dhe 3 në detyrim paraqitje. Mes personave të lënë në qeli janë edhe oficerët e policisë, Klement Zeqi, Bardhyl Çela dhe Astrit Duro. Shefi i stacionit të Policisë në Poliçan Neritan Naska, u la në arrest shtëpie, ndërsa personat që kultivuan drogën do të qëndrojnë në qeli.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, ka rezultuar se oficerët e policisë ishin të përfshirë drejtpërdrejt në kultivimin e drogës. Madje kur zhvilloheshin operacione me urdhër nga Drejtoria Vendore ose nga Tirana, policët lajmëronin kultivuesit që të hiqnin bimët narkotike.

Në një përgjim të kapur nga SPAK, oficeri i policisë Astrit Duro i thotë një prej kultivuesve

Astrit Duro, oficer policie në Skrapar: “A ke mbjellë nga ato? Merre atë thuaji, futeni urgjentisht. Po pati mundësi t’i zhduki sa më parë, tërë natën. Sonte se nesër…”, raporton Tv Klan.

Janë të paktën 16 raste të identifikuara, kur kanabisi zhdukej para se të bëhej operacioni i policisë, që sipas dosjes së SPAK, dekonspirimet bëheshin nga vete oficerët e zonës. Të paktën 178 kilogramë kanabis u sekuestruan në një operacion në muajin Shtator. Një pjesë e bimës narkotike po thahej në një stallë lopësh.