Kryesore Drogë dhe prostitucion në klubet e natës së Shkodrës, në pranga dy...

Drogë dhe prostitucion në klubet e natës së Shkodrës, në pranga dy menaxherë dhe një këngëtar

Drogë, prostitucion në klubet e Shkodrës dhe tre të arrestuar ky është rezultati i një operacioni policor nga ku mbetën të arrestuar dy menaxherë të një klubi nate dhe një tjetër person, të cilët në bashkëpunim me pronarin e klubit kanë shpërndarë e shitur lëndë narkotike kokainë, si dhe kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.

Policia ka arrestuar Aldo Vrucaj 29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; Gasper Marku 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkëpunim”, si dhe Zamir Jakupaj 57 vjeç, këngëtar në klub, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e pronarit të lokalit, shtetasit E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në  Shkodër (balerinë).

Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.

Policia thotë se vazhdon puna me intensitet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë. Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prostitucioni”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Fshehja e të ardhurave”.