Aktualitet Drogë drejt Malit të Zi, shkatërrohet grupi kriminal që drejtohej nga një...

Drogë drejt Malit të Zi, shkatërrohet grupi kriminal që drejtohej nga një shqiptar

Policia malazeze shkatërroi një grup kriminal që dyshohet se drejtohej nga një shqiptar dhe që mendohet të ketë trafikuar rreth 1 ton kanabis vetëm gjatë vitit të fundit.

Në pranga është vënë 27-vjeçari, Ndue Pepaj banues në Malësinë e Madhe, i cili njihet edhe si pronar i një lokali.

Përveç 928 kg kanabis, grupi dyshohet se ka trafikuar nga Shqipëria drejt Malit të Zi edhe 2 kilogramë heroinë dhe disa kilogramë përzierës.

Që nga nisja e operacionit të koduar “Mashtrimi”, policia ka vënë në pranga gjithsej 11 persona mes tyre edhe disa shqiptarë nga Tuzi i Malit të Zi.

Disa shtëpi u kontrolluan nga policia në Podgoricë, ndërsa në njërën prej tyre u gjet edhe një armë e groposur.

Policia nuk ka dhënë detaje mbi mënyrën e trafikimit, ndërsa ndaj 27-vjeçarit Ndue Pepaj janë ngritur akuzat e krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.