Aktualitet “Dua të kthehem në Shqipëri!” Ndalohet me biçikletë në autostradë, gjobitet me...

“Dua të kthehem në Shqipëri!” Ndalohet me biçikletë në autostradë, gjobitet me 600 euro

“Dua të kthehem në Shqipëri”. Kanë qenë këto fjalët e një 33 vjeçari-shqiptar që mëngjesin e së premtes është kapur nga një patrullë  e policisë rrugore, ndërsa pedalonte me biçikletë qetësisht përgjatë autostradës A27 në Trevizo të Italisë.

Il Mattino e përshkruan si “një skenë në limitet e surreales” që nuk u ka shpëtuar drejtuesve të automjeteve  që qarkullonin në këtë aks rrugor. Kanë qenë këta të fundit që kanë dhënë alarmin për policinë për faktin se në disa raste, çiklisti rrezikonte të shkaktonte aksident.

Shqiptari 33 vjeçar, rezident në Marca, para pak ditësh ishte shtruar në spital për një gjendje të rënduar ankthi të lidhur me karantinën. Kur u ndalua nga policia, ai në pulsin e dorës mbante akoma byzylykun spitalor me emrin e tij dhe datën e shtrimit në spital.

Djali kishte dalë me biçikletën e tij pa maskë e pa dorëza që janë të detyrueshme për këdo që do të lëvizë, dhe është drejtuar për në autostradë.

Gjendja e rënduar psikologjike nuk e ka ndihmuar që të evitojë gjobën e majme: 42 euro për hyrje të parregullt në autostradë ku biçikletat nuk lejohen dhe 533 euro për mosrespektimin e dekretit qeveritar për masat kundër përhapjes së koronavirusit.