Kryesore “Dua të rikthehem president pas 25 vitesh”, Meta: Djegia e mandateve e...

“Dua të rikthehem president pas 25 vitesh”, Meta: Djegia e mandateve e planifikuar nga mafia

Kryeministër, kryetar parlamenti dhe më pas president i Republikës së Shqipërisë, sot Ilir Meta i është kthyer jetës politike.

Në Konventën Kombëtare të LSI-së ai u shpreh se nga tre pozicionet e larta që ka mbajtur është ndjerë më mirë me detyrën e presidentit dhe mezi pret të rikthehet për një mandat të dytë, por pas 25 vitesh.

“Dje, siç kisha bërë premtimin publik dorëzove sipas afatit kushtetues detyrën më të lartë në këtë shtet. Përfundova mandatin e parë si president dhe në këtë mënyrë pata eksperiencën e të provuarit të tre pozicioneve më të larta në këtë shtet; kryeministër, kryetar parlamenti dhe presidenti.

Dikush më pyeti më mirë se ku jam ndjerë më mirë dhe iu përgjigja se në detyrën e presidentit. Mezi pres që të rikthehem, pas 25 vitesh për të përmbushur mandatin e dytë sipas kushtetutës. Deri atëherë do të na duhet të gjithëve që të bëjmë shumë punë që Shqipëria të jetë vend normal me qeverisje normale”.

“Në këto 5 vite kam qenë nga një lartësi ku shihja çdo gjë dhe fitova një këndvështrim që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik që i kanoset sovranitetit të këtij vendi dhe pavarësinë Kosovës,” – u shpreh Meta.

Ai u cilësoi situatën aktuale jashtëzakonisht kritike dhe tha se kërkon një ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve që duhet të marrin përgjegjësi sepse s’mund t’ia besojnë më përgjegjësitë e tyre kësaj klase politike.

Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare të LSI-së, Meta tha se ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë pjesë e planit të mirëplanifikuar për djegien e mandateve dhe dorëzimin e pushtetit lokal në duart e Edi Ramës.

“Ndaj Shqipërisë ka një rrezik kanosës. Ndaj Pavarësisë së Kosovës ka një rrezik të madh pas pavarësisë me shumë sakrifica e shumë gjak. Kam parë një plan të përgatitur për të ekzekutuar demokracinë e pluralizmin  për të pasur një fasadodemokraci. Është bërë gjithçka për të vrarë referendumet. Janë një grup oligarkësh që vjedhin e grabisin gjithçka, mbi tokë e nëntokë.

Duke djegur mandatet, duke dorëzuar pushteti lokal. Djegia e mandateve ishte e mirëplanifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë. Nga oligarkët që punojnë me të dyja palët prej kohësh. Një person që gënjen edhe për orën nëse e pyet. Ata nuk synojnë thjesht grabitjen, por zhbërjen e identitetit kombëtar shqiptar. Në pesë vite ndodhi një grusht shteti pa tanke, po me procedura. Ata na mësuan se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të shkojnë të betohen te Lana dhe parlamenti thotë u zgjodh ky”, theksoi Meta.