Kryesore Duka konfirmon Rejën: Projekti që kemi nisur nuk mund të ndërpritet brenda...

Duka konfirmon Rejën: Projekti që kemi nisur nuk mund të ndërpritet brenda një viti

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një konferencë për shtyp paraditen e së shtunës, konfirmoi se trajneri i kombëtares, Edy Reja, do të vazhdojë në këtë detyrë.

“Ekipi ka grumbulluar 18 pikë, si asnjëherë tjetër. Ka pasur paraqitje pozitive. Trajneri ka rinovuar ekipin dhe është premtues për të ardhmen. I gjithë ekipi, nga drejtuesit e departamentit në FSHF deri te futbollistët dhe trajneri e stafi teknik, për mendimin tim kanë bërë një punë të kënaqshme dhe e kanë arritur objektivin. Objektivi real, kur ra shorti, ishte vendi i tretë. Është luftuar për të qenë në Botëror, ishim shumë pranë. Mund ta kishim arritur objektivin, në ndeshjen ndaj Polonisë nuk kishim fat, kishim mungesa dhe nuk arritëm që të kapnim “playoff”-in e Botërorit”, tha Duka, i cili shtoi se i vendos notën 8 trajnerit.

“Ne kemi filluar një projekt me trajnerin dhe stafin e ekipit kombëtar. Reja është kryetrajner për të gjitha ekipet; përgatitësi fizik është kreu i departamentit të përgatitjes fizike, që nuk e kemi pasur më parë; e njëjta gjë është me doktorin e ekipeve kombëtare dhe me video-analistin. Është një projekt i nisur që nuk mund të ndërpritet pas një viti kontratë. Kjo kontratë përfundon në 30 nëntor 2022 dhe kemi goxha kohë për të menduar për projektin e të ardhmes”, theksoi Duka.