Politika Duka: Nëse ndryshohet Kodit Zgjedhor hyj në zgjedhje

Duka: Nëse ndryshohet Kodit Zgjedhor hyj në zgjedhje

Në vazhdën e diskutimeve mes panelistëve të emisionit “Open” të Eni Vasilit, moderatorja i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë kreut të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, njëherësh aleat i kreut të opozitës Lulzim Basha. A do të hynte në zgjedhje ai, nëse Kodi Zgjedhor do të ishte i ndryshëm nga ai aktuali?

Zoti Duka tha sigurisht që do të hynte në zgjedhjet lokale, nëse Rama ndryshonte sistemin zgjedhor, por, ai theksoi se gjasat janë që të mos ketë kohë për një ndryshim kaq të rëndësishëm ligjor, sa ç’është Kodi Zgjedhor, që kërkon 84 vota në Kuvend.

Për ta bërë të mundshëm këtë ndryshim, sipas Dukës duhet një qeveri tranzitore, teksa i cilësoi deputetët e futur rishtazi në Parlament, në emër të opozitës, si persona që nuk e përfaqësojnë opozitën, pavarësisht se nga qeveria këmbëngulin se ato emra i kanë përzgjedhur krerët e PD-së dhe LSI-së, jo Rama.

Grupet e reja parlamentare që pritet të krijohen në Kuvend me deputetë nga listat e PD-së dhe LSI-së, pasi tashmë janë plotësuar numrat për ta bërë diçka të tillë, zoti Duka i quajti “produkte OMGJ”.

Ata kanë hyrë si anëtarë të një force politike dhe nuk mund të rrinë aty ndërkohë që forcat që i kanë përfshirë në lista janë jashtë. Por sistemi qendror zgjedhor ka sjellë këtë problem”, tha Duka.

Por, si do të sillej zoti Duka me kandidatët për deputetë nga PAA-ja, nëse do t’iu jepej mundësia të futeshin në Kuvend?

Ai deklaroi në emisionin “Open” se i ka këshilluar kandidatët për deputetë të partisë së tij të vendosin vetë nëse do të hyjnë apo jo në Parlament. Duka tha se është në një linjë me opozitën, por theksoi që ka vendosur të mos dalë në mitingje, pasi e shikonte veten jo shumë populist.

Në këtë moment pati një përplasje idesh mes Dukës dhe Pezës, me këtë të fundit që i quan të ligjshme emrat zëvendësues në Kuvend, ndërsa kreu i PAA-së i quajti të pamoralshme.

Ne jemi në politikë dhe po flasim për të. Nëse do të flasësh për moral, atëherë shko merru me filozofinë”, tha Peza.