Sport Duka rrëfen shkarkimin e Panuccit dhe si duhet të jetë trajneri i...

Duka rrëfen shkarkimin e Panuccit dhe si duhet të jetë trajneri i ri

Armand Duka ka qenë mbrëmë i ftuari i emisionit “Opinion” në TV Klan.

Para moderatorit Blendi Fevziu, presidenti i FSHF-së ka si e shkarkoi Christian Panuccin mbas humbjes me Turqinë dhe cilët janë emrat që mund ta pasojnë italianin në stolin kuqezi.

Shkarkimi i Panuccit?

“Nuk ishte fare i papritur, por gjithsesi fati i tij varej nga paraqitja dhe gjendja e skuadrës, por edhe nga rezultati i ndeshjes me Turqinë”.

A shkarkohet një trajner, vetëm pse humb një ndeshje?

“Nuk ishte vetëm kjo. Në njëfarë mënyre u vërtetua ajo që përflitej, se Panucci nuk mund ta inkurajonte më, nuk mund t’i jepte energji pozitive skuadrës kombëtare. Gjërat nuk po shkonin ashtu si duhet. Në futboll, gjëja që mund të sakrifikohet më kollaj, është trajneri.

Nuk është se ka ndodhur ndonjë gjë e madhe mes Panuccit dhe lojtarëve. Ai ka kërkuar disiplinë nga të gjithë. Ne e kemi mbështetur në shumicën e vendimeve të marra, sikurse ishte lënia jashtë e Strakoshës apo Cikalleshit. Këtë e kemi bërë të vetëdijshëm se disiplina është gjëja kryesore në futboll, kolona e fortë për të pasur rezultate. Nuk ka qenë ky shkaku, që i ndërpremë marrëdhëniet kontraktuale me të. Shprehja e skuadrës në fushë, atmosfera brenda grupit, ndoshta nuk ishin ato që duheshin”.

I paaftë apo arrogant?

“Nëse nuk shkon si duhet një raport mes dy palëve, nuk do të thotë se je arrogant. Kjo vlen edhe në rastin e Panuccit. Nuk pati kimi dhe atmosfera duhej të ndryshonte. Shkarkimi ishte një vendim jo i zakontë, duke pasur parasysh se merrej mes dy ndeshjesh. Kini parasysh se na priste ndeshja me Andorrën tri ditë mbas humbjes në Shkodër.

E kam diskutuar në Andorra me një pjesë të lojtarëve të kombëtares, para ndeshjes, se përse arritëm në këtë vendim. Konstatova më shumë përgjegjësi te lojtarët, pas largimit të trajnerit. Ata duhej ta merrnin situatën në dorë, sepse ishin pa një timonier të konfirmuar. Ne improvizuam për drejtimin e ndeshjes me Andorrën, por dua ta komplimentoj Bulkun dhe Memën, sepse bënë një punë të shkëlqyer në tri ditë”.

Kur u mor vendimi për largimin e Panuccit, para apo pas humbjes me Turqinë?

“Për të qenë i sinqertë, kemi qenë në diskutime me stafin teknik të federatës, nëse duhet të vazhdojmë apo jo me trajnerin italian. E kishim lënë që ta testonim edhe në ndeshjen me Turqinë. Përderisa kjo eliminatore nuk shkoi mirë, vendimi u konkretizua pas ndeshjes.

Shkarkimi nuk ishte vendim personal i imi, por i konsultuar me stafin teknik të federatës, me të cilin jemi mbledhur e diskutuar pas humbjes me Turqinë, në Shkodër. Panuccit ia kam komunikaur shkarkimin mëngjesin e ditës pas ndeshjes. Vetë trajneri e kuptonte se ishte një test për të, e ka pritur diçka të tillë. Nuk më është dashur të flas gjatë me të, veçse ti them se situata është e vështirë. Përgjigja e tij ka qenë “merr vendimin që duhet”!

Deklarata e Panuccit, që këtu te ju është cirk, se në 30 vite në futboll nuk ka parë një vend, ku trajneri të kritikohet pse kërkon disiplinë?

“Mbase e ka pasur për ndonjë individ të veçantë punën e disiplinës, por nuk është e vërtetë që ne nuk e mbështesim fort këtë gjë në kombëtare. Kemi luajtur futboll edhe para Panuccit, do të luajmë edhe pas tij”.

Trajneri i ardhshëm?

“Realisht, nuk kemi marrë dhe dhënë ofertë në këtë drejtim. Nëpër media lexoj shumë emra, që janë trajnerë të mirë. Në fakt, unë kam kontaktuar vetëm me njërin prej tyre, Edy Reja, pas ndeshjes në Shkodër, por jo për këtë qëllim. E kam takuar rastësisht, madje ka qenë dhe një trajner tjetër italian aty. Ata kishin ardhur për të parë ndeshjen dhe diskutuam si iu duk loja dhe kombëtarja jonë. Në fakt, një gjë ia kam thënë Edi Reja-s atë natë, që nuk e dimë nëse do të shkojmë në Andorra me apo pa trajner”.

Besnik Hasi?

“Ai është ish-kapiteni i kombëtares. E ka bërë trajnerin në disa vende, në Belgjikë, Greqi, Arabi. Ne ia kemi propozuar njëherë drejtimin e kombëtares Hasit, diku gjashtë apo shtatë vite më parë, fiks para se të vinte De Biasi. Hasi preferoi të rrinte trajner i dytë tek Anderlehti. Është trajner shumë i mirë, mund të jetë kandidat, pse jo”.

Rikthimi i mundshëm i De Biasit?

“Nuk e besoj. Së fundi kam folur në telefon me De Biasin për të tjera projekte të tij, jo për Shqipërinë. Nuk është kandidat për t’u kthyer”.

Donadoni?

“Nuk e di nëse është i gatshëm të drejtojë Shqipërinë, që të pranojë paketën tonë financiare për këtë pozicion. Po të përputhen kushtet dhe kërkesat, pse jo, është trajner shumë i mirë”.

Di Kanio?

Kemi komunikuar me të, por jo tani. Ai ishte një nga kandidatët, para se të emëronim Panuccin”.

Sa paguajmë ne për trajnerin e kombëtares?

“Buxheti ynë vjetor për këtë zë është 200-250 mijë euro”.

A gjendet dot një trajner i mirë me këtë buxhet?

“De Biasi, ishte i mirë apo joMe këtë buxhet e kemi pasur trajner të kombëtares. Edhe Panucci, pavarësisht se e shkarkuam, ishte një emër i madh i futbollit. Të qenit futbollist i madh nuk do të thotë se bëhesh edhe trajner i madh. Ky ishte rrisku ynë me Panuccin. Ama, mos harroni se Guardiola u bë trajner i madh sapo la futbollin”.

Trajneri i ri, i huaj apo shqiptar?

“Nuk mund të them 100 për qind se duhet të jetë i huaj. Ka avantazhet dhe disavantazhet e veta një i huaj dhe një shqiptar. Avantazhi më i madh i trajnerit shqiptar është njohja e mentalitetit tonë. Nga pikëpamja e përgatitjes për kompeticione ndërkombëtare, nuk mendoj se ne kemi akoma trajnerë të nivelit të duhur, që të pretendojnë rezultate internacionale”.