Opinione Durrësi, një tragjedi e paralajmëruar

Durrësi, një tragjedi e paralajmëruar

Nga Mentor Kikia

Sot, të gjitha zemrat tona janë me ata që kanë humbur të afërmit nga shembja e shtëpive në Durrës.

Sot, lutjet tona janë për ata që janë ende nën rrënoja, që të dlain gjallë prej tyre.

Sot, krenaria jonë është për ata njerëz, pa dallim, ushtarakë e civilë, që, me mjete primitive po punojnë për të shpëtuar jetë njerëzish.

Por kaq!

Pas kësaj, nuk dua të shikoj me ministra e deputetë me qese ushqimesh dhe batanije në dorë që përqafojnë njerëzit e trishtuar, për të bërë foto për në facebook.

Pas kësaj, dua të shikoj një hetim të thellë, mbi ata që bënë vlerësimin e atyre ndërtesave që u dëmtuan nga tërmeti në shtator e u konsideruan të sigurta edhe pse u ishin çarë themelet e kolonat dhe që sot janë përtokë.

Pas kësaj, dua të shikoj konstruktorë në bankën e të akuzuarve që kanë ngritur kolona pallatesh 8 kate me 4 shufra hekuri.

Pas kësaj, asnjë pushtetar e politikan të mos marrë guximin e paturp e të dalë në TV për të thënë se “solidariteti ynë tregoi se me dashuri dhe unitet ia dalim edhe tërmetit”.

Pas kësaj, asnjë ndërtues bastard të mos marrë guximin të dalë në TV për të thënë se ndërtimet tona janë të standardit europian.