Aktualitet Dvorani tërhiqet nga Gjykata Kushtetuese, mbetet në krye të KED

Dvorani tërhiqet nga Gjykata Kushtetuese, mbetet në krye të KED

Ardian Dvorani, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, është tërhequr nga kandidimi për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, pasi siç shprehet ai ka detyrim Kushtetues për të drejtuar Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë, pasi është anëtar dhe kryetar i këtij institucioni.

“Kam detyrime kushtetutës për të drejtuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Konsideroj si prioritare drejtimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tërheqja është e parevokueshme“, tha Dvorani.

Sipas Kushtetutës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët duhet të plotësojnë një sërë kushtet, dhe që shërbejnë vetëm për një vit pa të drejtë rizgjedhje të njëpasnjëshme. Nga 9 vende, njëri është i rezervuar për një gjyqtar nga Gjykata e Lartë.

Kujtojmë se Ardian Dvorani është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke kaluar filtrin e vettingut.

Rikonfirmimi i tij në detyrë është kundërshtuar nga PD që thotë se Kushtetuta përcakton se anëtari i Gjykatës së Lartë e ka mandatin 9 vite, ndërsa Dvorani është i vetmi anëtar në historinë e saj që ka 13 vite në atë post.