Aktualitet Dy aksidente brenda pak orësh, plagosen tetë persona

Dy aksidente brenda pak orësh, plagosen tetë persona

Dy aksidente kanë ndodhur brenda pak orësh mëngjesin e së dielës, ndërsa kanë mbetur të plagosur tetë persona.

Aksidenti i parë ndodhi në aksin rrugor Burrel-Ulëz, ku kanë mbetur të plagosur 6 persona. Ngjarja ka ndodhur pasi drejtuesi i mjetit, i cili është mes të lënduarve, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Baz.

Mes të lënduarve, 5 prej tyre janë pasagjerë, pjesëtarë të një familje nga Dibra. Mësohet se ata janë nisur drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plota të saj.

Aksidenti tjetër ndodhi në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, ku një mjet tip “Land Rover” doli nga rruga në aksin rrugor Fier-Levan.

Policia bën me dije se për pasojë kanë pësuar dëmtime të lehta pasagjerët në mjet, shtetasit L. Ll., 27 vjeç dhe M. Gj., 29 vjeç, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve.