Ekonomi Dy amerikanë fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi

Dy amerikanë fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi

Dy ekonomistë amerikanë, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, kanë fituar Çmimin Nobel në Ekonomi, për kontributin e tyre në teorinë e ankandeve, tha, të hënën, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Teoria e ankandeve është një degë e ekonomisë së zbatuar që merret me mënyrën sesi sillen njerëzit në tregjet e ankandeve dhe kryen kërkime në fushën e tregjeve të ankandeve. Teoria ndihmon në informimin dhe organizimin e ankandeve, sidomos për ato në privatizimin e kompanive shtetërore ose në shitjen e licencave për përdorim në fushën e elektromagnetikës.

Çmimi në ekonomi njihet zyrtarisht si çmimi “Sveriges Riksbank”. U dha për herë të parë nga Banka Qendrore e Suedisë në vitin 1969, në nderim të industrialistit Alfred Nobel.

Në vitin 2019, çmimi iu dha Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer, për punën e tyre në lehtësimin e varfërisë globale.

Javën e kaluar, Programi Botëror i Ushqimit, degë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, fitoi Çmimin Nobel për Paqen.