Kryesore Dy “goditjet” amerikane që vulosën zgjedhjet e 25 prillit

Dy “goditjet” amerikane që vulosën zgjedhjet e 25 prillit

Ndërkohë që opozita po forcon mesazhet drejt mosnjohjes së zgjedhjeve të 25 prillit, me pretendimin se ishin të manipuluara, kanë ardhur dy mesazhe të forta amerikane paralel me njëra-tjetrën.

Në fillim është Departamentit i Shtetit që nuk lë asnjë ekuivok duke u dhënë bekimin zgjedhjeve të së dielës në Shqipëri.

“SHBA përgëzon popullin e Shqipërisë për zgjedhjet e tyre të fundit. Ne shpresojmë të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Kryeministrin Rama dhe të përgëzojmë fushatën e fortë të opozitës. Respektimi i rezultateve të zgjedhjeve legjitime forcon demokracinë e Shqipërisë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit Amerikan i Shtetit Ned Price që u kërkon palëve politike të respektojnë rezultatin të cilat i quan legjitime sepse sipas tij kjo do të forconte demokracinë e vendit.

Këtë koment e ka shpërndarë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim që thotë se populli foli qartë.

“Ne e përgëzojmë kryeministrin dhe Partinë Socialiste në fitoren e tyre elektorale. Ne gjithashtu përgëzojmë Kryetarin e PD-së Lulzim Basha për udhëheqjen e një fushate të fortë që u dha zë shumëkujt & frymëzoi shpresë.

Më e rëndësishmja, ne e përgëzojmë popullin shqiptar, i cili foli qartë.

Duke njohur rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, udhëheqësit do të veprojnë me përgjegjësi për të mirën e popullit shqiptar.

Ne shpresojmë të punojmë me Shqipërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin mbi demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori duhet të ndjekin penalisht cilindo që shkel ligjin dhe pengon të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, deklaroi Kim.

Ky reagim me “goditje të përqendruar” nga SHBA vjen fill pas një mesazhi të ashpër e përbetues të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta për mos njohje zgjedhjesh.

Kështu, SHBA e bën të qartë qëndrim e saj, duke e bërë më të vështirë për Bashën që të arrijë deri në pikën e mosnjohjes së zgjedhjeve.