Sport Dy ikin dhe të paktën dy afrohen, Conte përgatit “mini-revoucionin” e janarit...

Dy ikin dhe të paktën dy afrohen, Conte përgatit “mini-revoucionin” e janarit tek Interi

Mesazhi i Antonio Conte mbërriti i fortë dhe i qartë në zyrat e klubit: Interi ka nevojë për përforcime, që të jetë kompetitiv në një betejë gjithnjë e më të vështirë për titullin në Serie A, kundër Juventusit. Për këtë, Marotta synon dy, ose tri goditje. Por, për t’iu bërë vend prurjeve të reja, nevojiten gjithashtu disa largime. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kandidatët kryesorë për lamtumirën nga fanella zikaltër do të ishte një veteran dhe një djalë i ri, i cili po lufton të fitojë besimin e Conte.

Fjala është për Borja Valero dhe Valentino Lazaro, të dy mjaft pak të aktivizuar deri më tani nga trajneri zikaltër. Nëse për ish-lojtarin e Villarreal dhe Fiorentina pritet vetëm konfirmimi i një lamtumire të shpallur tashmë në verë, situata e austriakut të datëlindjes 1996 është në mënyrë të pashmangshme e ndryshme. Ai arriti në “San Siro” verën e këtij viti për 20 milionë euro. Është përpjekur të përfshihet në formacionin titullar, por nuk ia ka dalë ende për shkak të karakteristikave të tij më ofensive.

Conte, megjithatë, do të donte një të huaj, që gjithashtu jep garanci në fazën e mosposedimit, siç është Matteo Darmian, i aftë të mbulojë katër role: i pesti i mesfushës, në të djathtë dhe në të majtë, mbrojtës i brendshëm me tre, nga e djathta dhe e majta. Lazaro, edhe në rolin e tij të vetëm, po has shumë vështirësi. Kjo mund të krijojë hapësirë për ish-lojtarin e Manchester United.

Goditja tjetër, për të cilën Marotta po mendon, është Arturo Vidal. Kileni ka punuar me trajnerin Conte te Juventusi, me rezultate të jashtëzakonshme. Në bazë të mundësive, po ashtu, do të synohet edhe një zëvendësues për Lukakun, një pozicion ku alternativat e momentit në grupin zikaltër nuk bindin.