Aktualitet Dy orë protestë për Jonadën në Tiranë, ultimatum për dorëheqjen e Bledi...

Dy orë protestë për Jonadën në Tiranë, ultimatum për dorëheqjen e Bledi Çucit dhe Mirela Kumbaros

Qindra qytetarë të Tiranës morën pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile dhe opozita për të kërkuar drejtësi për 7-vjeçaren Jonada Avdia, e cila humbi jetën në plazhin e Potamit në Himarë, pasi u godit nga një skaf që drejtohej nga oficeri i policisë Arjan Tase.

Protesta që zgjati dy orë nisi përpara Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Bledi Çuçi, por edhe të ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.

Protestuesit lanë dhe një afat 72 orë për shkarkimin e tyre, në të kundërt protesta do të vijojë. Një moment tensioni u shënua para godinës së ministrisë së Brendshme, por që u shua shumë shpejt.

Protestuesit ndezën qirinj dhe vendosën lule, për t’u zhvendosur më pas përpara Kryeministrisë dhe Presidencës.

Duke hipur në kangjellat rrethuese të Presidencës, qytetarët kanë kërkuar një reagim nga Presidenti Bajram Begaj që ende nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë ngjatje të rendë.

Protestuesit e kanë quajtur atë si “president kukull të qeverisë”. Ndërsa një grua i ka bërë thirrje edhe Zonjës së Parë që të reagojë si nënë.

Gjatë protetës, qytetarë të shumtë morën fjalën, të cilët njëzëri kërkuan dorëheqjen e ministrave përgjegjës për këtë ngjarje dhe drejtësi për të miturën që humbi jetën në mënyrë tragjike.

Protestës qytetare iu bashkuan dhe drejtuesit e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët zgjodhën të mos iu drejtoheshin të pranishmëve, ndërsa dhanë deklarata për mediat.

I pyetur nga gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi ngjarjen si shumë tragjike dhe shtoi se qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministrave.

“Po të isha në vendin e Ramës, nëse Çuçi nuk do të kishte ikur për 3 minuta, në të 4 do e kisha shkarkuar, atë dhe ministren e Turizmit. Këta përpiqen që me zinxhirin e policisë së Vlorës, të kapërcejnë një nga ngjarjet më tragjike që ka ndodhur në këtë vend”, tha Berisha.

Ndërsa, ish-presidenti Ilir Meta përveç dorëheqjes së ministrave tha para kamerave se qytetarët duhet intensifikojnë protestat kundër kësaj qeverie.

Aktualisht autori i kësaj ngjarje të rëndë Arjan Tase është arrestuar dhe policia ka referuar për të akuzën e vrasjes nga pakujdesia , e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg, akuzë kjo që pritet të ndryshojë nga prokuroria në seancën që do të mbahet të premten në Gjykatën e Vlorës.

7-vjeçarja Jonada Avdia u godit nga skafi me motor të fuqishëm në plazhin e Potamit, pasi efektivi Tase kishte lënë familjen e tij dhe me shpejtësi po manovronte për t’u kthyer në det të hapur.

Për këtë ngjarje të rëndë, u shkarkuan nga detyra dhe zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit në Vlorë.