Aktualitet Dy të vrarë dhe një i plagosur në Vlorë, digjet automjeti i...

Dy të vrarë dhe një i plagosur në Vlorë, digjet automjeti i autorëve

Dy persona janë ekzekutuar mesditën e kësaj të diele, në zonën e “Ujit të ftohtë” në Vlorë, një zonë tejet e populluar për shkak edhe të temperaturave të ngrohta.

Sipas burimeve të policisë, atentati është kryer me armë zjarri kallashnikov.

Dy viktimat janë identifikuar si Orest Rexho dhe A. Hasani, ndërsa i plagosur ka mbetur Armando Sulejmani, shtetas me precedentë penalë dhe i njohur si ish-anëtar i bandës së Gaxhait, i cili njihet gjithashtu edhe si Armando Cipuri dhe që rezultonte person në kërkim.

Ndërkohë, ende nuk dihet identiteti i autorit, apo autorëve të mundshëm.

Policia ka rrethuar një perimetër të gjerë, ndërsa po kryen hetimet e para, si dhe janë marrë shumë dëshmi, por ende nuk ka detaje lidhur me këtë krim të rëndë.

Pistat në të cilat po hetohet janë disa, por më kryesorja mendohet se është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve rivale.

Ndërkohë, është gjetur duke u djegur një automjet në Babicë të Vlorës, një fshat në dalje të qytetit, gjë që tregon përpjekjen e autorit apo autorëve për të humbur gjurmët.