Sport Dybala “alla Mertens”; Sarri shpik rol të ri për argjentinasin

Dybala “alla Mertens”; Sarri shpik rol të ri për argjentinasin

Vetëm disa ditë punë për Maurizio Sarri te Juventusi, por tashmë shumë ide ekzistojnë në kokën e ish-trajnerit të Chelsea. Nga ana tjetër, në çdo përvojë që kishte, ai gjithmonë ka sjellë diçka të vetën, që ka mbetur si risi absolute në skuadrën përkatëse.

Dhe ndoshta kështu do të jetë edhe te “Zonja e Vjetër”. Një nga këto ide ka të bëjë me pozicionin që do të zërë Paulo Dybala në fushë. Siç raportohet nga “Tuttosport”, tekniku ka në mendje që ta aktivizojë argjentinasin si një “9” përpara.

Dybala e bëri atë rol te Palermo, në periudhën kur Juventusi ra në dashuri me të. Dhe pastaj, në vitin e parë të Allegrit, ai luajti, gjithashtu, si sulmues, modulin 3-5-2, shpesh me Mandzukic. Tani me Sarrin në stol, argjentinasi do të bënte rolin e Mertens te Napoli, me Cristiano Ronaldon që mund të “decentralizohet” në të majtë.

Edhe Beppe Iachini, trajner i Dybala te Palermo, e konfirmoi “bukurinë” e kësaj ideje nga Maurizio Sarri: “Po, unë e aktivizova Paulo si sulmues, kur ishte 18 vjeç. Edhe pse shumë thanë se ishte i huaj për këtë rol, te Palermo e vendosja pranë portës kundërshtare. Me Dybala, trajneri Sarri mund të përsërisë atë që bëri me Mertens te Napoli. Ata janë dy sulmues të shpejtë, me një prirje të madhe për të lëvizur në fushë. Në këtë mënyrë godasin portën nga të gjitha pozicionet, ose krijojnë hapësira për përparimin e e mesfushorëve në sulm”.

E gjitha kjo, megjithatë, do të varet nga blerja eventuale e një sulmuesi të vërtetë të parë nga Juventusi. Nëse, për shembull, dikush si Mauro Icardi do të arrinte në Torino, nuk ka gjasa që Dybala të luajë në rolin si qendërsulmues…