Sport Dybala nuk heq dorë, sfidon Higuain për një vend titullari ndaj Napolit

Dybala nuk heq dorë, sfidon Higuain për një vend titullari ndaj Napolit

I gjithë faji, ose merita është e Maurizio Zamparini. Nëse Paulo Dybala nuk përfundoi te Napoli, por te Palermo, shtatë vite më parë, kjo është për shkak të ish-presidentit të Palermos, i cili shfrytëzoi avantazhin karshi bluve për të marrë djaloshin e talentuar argjentinas. Kështu filloi historia italiane e numrit aktual 10 të bardhezinjve, i cili nga Siçilia fluturoi drejt Torinos dhe në 4 sezone është bërë një nga lojtarët më ikonë të “Zonjës”. Edhe simbolet, megjithatë, kanë momentet e tyre të vështirësisë.

Pushimet e kësaj vere për Dybala, që filluan pas vendit të tretë në Kupën e Amerikës, edhe pse me Oriana dhe miqtë, nuk ishin fort relaksuese. Thashethemet e merkatos, negociatat me Manchester United dhe Tottenham dhe, më në fund, ulja në stol ndaj Parmës. Paulo nuk do ta kishte menduar kurrë të mos luante asnjë minutë në ndeshjen e parë të kampionatit të ri me Juventusin.

Madje, as vitin e parë te bardhezinjtë nuk ndodhi kjo, sepse kundër Udinese zëvendësoi Coman në pjesën e dytë. Jo një fillim i shkëlqyeshëm, por Dybala preferon të shikojë përpara dhe të dërgojë mesazhe pozitive përmes rrjeteve sociale. Të hënën, kur stërvitja rifilloi, ai postoi një foto në Instagram, ku punonte me grupin, së bashku me Danilo, një tjetër lojtar luksoz në stol, në “Tardini”.

Sarri e di se është tepër e rrezikshme për të eksperimentuar në këtë moment. Për cilindo pragmatist është më mirë të vërë bast për një sulmues të vërtetë, sesa të aktivizojë Dybala në majën e repartit ofensiv të kampionëve. Sidomos në një supersfidë si ajo e fundjavës, kundër Napolit. Sidoqoftë, Paulo ende shpreson për një fanellë titullari, edhe pse izolimi i vetvetes nga shumë artikuj të merkatos nuk është i lehtë… Në momentin më të ndërlikuar, Paulo nuk heq dorë. Ai sfidon Higuain për një vend në sulm, që nga përballja e ethshme e kësaj të shtune.