Sport Dybala përshpejton kthimin në Torino, kërkon të qartësojë të ardhmen

Dybala përshpejton kthimin në Torino, kërkon të qartësojë të ardhmen

Duhej të pushonte deri më datën 5 gusht, por Paulo Dybala ka vendosur të vijë më shpejt në Torino, për të qartësuar të ardhmen e tij, duke parë që së fundi zërat e merkatos e lidhin me një transferim të mundshëm në Angli, te Manchester United.

Sulmuesi argjentinas pritet që të premten të takojë trajnerin Maurizio Sarri, për të diskutuar më këtë të fundit mundësitë e përshtatjes në skemat e tij të lojës dhe t’i konfirmojë dëshirën për të qëndruar në skuadrën bardhezi.

Vetë Sarri ka folur me superlativa për Dybalën dhe ka hedhur idenë e aktivizimit të tij si një numër 9 fals, pra si një sulmues qendror i fshehtë, i mbështetur nga Ronaldo në një krah e Bernardeschi në tjetrin.

Pas takimit me Sarrin, Dybala pritet të ulet në tryezë me drejtuesit e klubit bardhezi Fabio Paratici dhe Pavel Nedved, të cilët duket se kanë ndërmend ta shesin, pasi duan të afrojnë një sulmues me peshë, tip Lukaku ose Icardi.

Higuain dhe Mandzukiç nuk janë në planet e Sarrit, ndaj Dybala do të tentojë të përfitojë për t’u shndërruar në sulmuesin e parë të bardhezinjve, për të mbetur ende në Torino, por edhe nga Anglia ofertat janë joshëse, pasi Manchester United është gati t’i paguajë 10 milionë euro në sezon, nga 7 që fiton aktualisht te Juventusi.