Sport Dybala u përgjigjet tifozëve bardhezi: E di që e keni të vështirë,...

Dybala u përgjigjet tifozëve bardhezi: E di që e keni të vështirë, por unë tani luaj për Romën

“E di që e keni të vështirë, por unë tani luaj për Romën”. Në këtë mënyrë, Paolo Dybala i përgjigjet tifozëve të Juventusit të cilët nuk e përtypën aspak mirë festën e ish-it të tyre pas golit dhe fitores së Romës në “Olimpico”.

Kritikat, por edhe fyerjet vërshuan në profilin e argjentinasit pas ndeshjes duke e cilësuar “La Joya” si një lojtar të vogël dhe pa respekt për klubin ku qëndroi për 7 vjet. Megjithatë, mediat italiane zbulojnë një bisedë private të Dybalas me tifozët.

“E di që është e vështirë për ju, por unë sot luaj për një skuadër tjetër me shokë të tjerë që meritojnë respekt. Nuk ishte e lehtë fitorja dhe për ne ishte e rëndësishme. Respekti do të ekzistojë gjithmonë, mos u besoni “shashkave” në rrjetet sociale. Nuk festova golin dhe nuk i shkova në fytyrë askujt. Më vjen keq që e shihni kështu. Ju përqafoj dhe jua dua shumë të gjithëve”, lexohet në një bisedë të Paolo Dybalas në rrjetin social “Telegram”.