Histori Dyzet vjet pas Titos

Dyzet vjet pas Titos

Jugosllavia pas vdekjes së Titos -1981- Tito nderohet, kudo shihen portrete të tij

Në ish-Jugosllavi ekziston dyzet vjet pas vdekjes së Titos një “titostalgji” e heshtur. Por sado i lartë të jetë reputacioni i tij, ai nuk shërben më si pikë orientimi, shkruan Norbert Mappes-Niediek.

Data u ngulit në kujtesën e një brezi të tërë si më vonë, 11 shtatori: të gjithë e dinin se ku kishin qenë në momentin kur një zyrtar i thinjur njoftoi me një shprehje të trishtuar vdekjen e Titos në televizion pasditen e 4 majit 1980. Ishte e dielë dhe në Split skuadra vendase Hajduk ishte duke luajtur kundër Yllit të Kuq – Crvena zvezda – të Beogradit, kur në minutën e 41-të u dha lajmi përmes altoparlantëve të stadiumit. Dhjetëra mijëra shpërthyen në lot, një lojtar humbi ndjenjat. Dhe nga 50,000 grykë filloi të tingëllonte spontanisht kënga: Shoku Tito, ju betohemi, nuk devijojmë kurrë nga rruga juaj!

Tito me Mbretëreshën Elisabeth në tetor të vitit 1972 në një banket shtetëror

Dyzet vjet më vonë në ish-mbretërinë e të ndjerit ekziston kudo një “titostalgji” e heshtur, por që nuk mund të mos kalohet pa u vënë re, siç thotë kulturologu slloven Mitja Velikonja. Stendat e suvenireve dhe objekte të ndryshme tek tregjet mallrave të përdorura janë dëshmi e lidhjes së përhershme. Një hotel në autostradën serbe të kujton një dhomë faljesh mbushur me ikona me fytyrën e Titos. Portrete të marshallit me uniformën e tij të bardhë i gjen të varura mureve të bareve më në modë . Por dëshmitarët më të fortë që ai vazhdon të jetojë janë sondazhet anonime – dhe elozhet që dëgjohen vazhdimisht pijetoreve dhe nxisin diskutimet për kreun legjendar të shtetit dhe të partisë.

Përkujtim kontradiktor

Nga ana tjetër “plaku” si e quanin me respekt gjatë jetës së tij, nuk gjen askund ndonjë vlerësim në kulturën zyrtare të përkujtimit. Asnjë nga shtatë shtetet pasuese të ish-Jugosllavisë nuk kanë gjetur një formulë të qëndrueshme për punën dhe jetën e Titos.

Në atdheun e tij, Kroaci, përkujtimi i liderit partizan dhe i burrit të shtetit është mjaft kontradiktor. Shtëpia e lindjes e Titos në kufirin kroato-slloven, që deri në vitet 1990 ishte vend përkujtimor për luftën partizane, u shndërrua në një muze apolitik fshati, por vazhdon të jetë vend pelegrinazhi. Edhe shumë vite pas shpërbërjes së Jugosllavisë, sheshi përpara Teatrit Kombëtar në Zagreb mbante emrin Marshall Tito. Vetëm në vitin 2017 kur social-demokratët u zëvendësuan nga një shumicë e djathtë në këshillin bashkiak sheshit iu ndërrua emri në “Sheshi i Republikës së Kroacisë”. Në Rijekë ka ende një shesh të madh që mban emrin e Titos.

Për “Bashkimin Demokratik Kroat” marshalli Tito është një figurë e urryer. Në vend të Titos kjo parti përkujton viktimat e tij. Çdo vit politikanë kryesorë e madje deri tek ish-presidentja marrin pjesë në qytetin kufitar austriak Bleiburg në festimet për nder të disa mijë bashkëpunëtorëve të nazistëve, të cilët diktatori i vrau pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por themeluesin e kësaj partie, Franjo Tuxhman, kjo gjë nuk e ka penguar të imitojë stilin e liderit partizan madje deri në detajet e uniformës. Por nëse pyesni në Kroaci se kush ishte “kroati më i madh i të gjitha kohëve”, Tito fiton rregullisht – përpara Tuxhmanit.

Tito në Brijuni

Reputacioni i Titos në Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut është thuajse i pandryshuar. Kur u shemb Jugosllavia, të dy vendet u bënë të pavarura më tepër me hir se me pahir. Në Sarajevë bulevardi më i madh akoma mban emrin e Titos, në Shkup ka edhe një monument të Titos. Sllovenia është sikurse Kroacia e përçarë në trajtimin e së kaluarës, por kryesisht tenton nga e majta – pra imazhi i Titos është përkatësisht pozitiv. Kurse në Kosovë me popullsinë e saj të re e kaluara jugosllave duket se pothuajse është harruar. Por tek brezi i vjetër, Tito, i cili e ndihmoi këtë vend të merrte statusin e autonomisë kundër rezistencës serbe dhe të dilte nga varfëria, ai ende respektohet. Ish-kreu i Partisë Komuniste, Mahmut Bakalli, i cili më vonë u bashkua me nacionalistët, e kishte të zbukuruar dhomën e tij të ndenjës me fotografi të Titos.

Marrëdhënia e vështirë e Serbisë me Titon

Serbia ka me Titon një marrëdhënie të sikletshme. Slobodan Milosheviqi, njeriu i fortë i viteve 1990, e injoroi plotësisht trashëgiminë e Titos në fjalimet e tij publike, largoi në heshtje rojet para varrit të tij dhe privoi vejushën e Titos nga privilegjet. Kroati është një figurë e urryer për nacionalistët radikalë se ai donte ta mbante Serbinë të vogël në kurriz të kombeve të tjera. Sidoqoftë, meqenëse tek shumica mbizotëron keqardhja për prishjen e Jugosllavisë, udhëheqësi shumëvjeçar ka ende mjaft ithtarë. Pë popullaritetin e Titos pas vdekjes luan rol fakti që asnjë nga shtetet pasardhëse të ish- Jugosllavisë nuk e ka prestigjin që e dallonte atë – as në arenën ndërkombëtare dhe as ndërmjet qytetarëve të vet.

Tito konsiderohet si simbol i vetëbesimin kombëtar, një ndjenjë që u zhduk bashkë me të. Që në Luftën e Dytë Botërore, rebeli misterioz që askush nuk e kishte parë ndonjëherë dhe të cilit të gjithë i dinin vetëm pseudonimin e luftës ishte një legjendë, i ngjashëm me Ché Guevaran më vonë. Fakti që ai kishte përshkruar me jahtin e tij oqeanet e botës, kishte miqësi me Willy Brandtin, Nehrun, Nasserin dhe Sukarnon, dhe që kishte luajtur në piano para Mbretëreshës Elizabeth të Anglisë, dhe se në varrimin e tij morën pjesë tërë krerët e botës, i bënte krenarë njerëzit e të gjitha kombësive të Jugosllavisë. Rënia filloi pas vdekjes së Titos në vitin 1980. Kohët e arta, si në vitet 60 dhe 70, nuk u rikthyen më.

Monument i Titos në Sarajevë

Edhe historianët e kanë të vështirë me Titon. Një biografi e gjerë, më tepër me tone lavdëruese e sllovenit Jože Pirjevec pati shitje të larta. Gjykimet e sotme shkencore rrallë e tejkalojnë ambivalencën. Prishja e tij me Stalinin në vitin 1948, angazhimi i tij për lëvizjen e vendeve të paangazhuara dhe për vendet e Botës së Tretë si dhe qëndrimi relativisht liberal i regjimit të tij vlerësohen me konsideratë. Në anën tjetër rëndojnë vrasjet masive të periudhës menjëherë pas luftës dhe ishulli i internimit Goli otok, në të cilit fillimisht u dërguan kundërshtarët pro-sovjetikë të Titos dhe më vonë disidentë të tjerë.

Një problem që lidhet me vlerësimin e Titos përbën fakti se nga puna e tij nuk mbeti asgjë. Ai nuk qe kujdesur për pasardhës dhe shpërbërja e shtetit të tij filloi me vdekjen e tij. Sado i lartë të jetë reputacioni i tij, ai nuk shërben më si pikë orientimi./DW