Extra E dini se cili është qyteti më “i pasjellshëm” në botë? 

E dini se cili është qyteti më “i pasjellshëm” në botë? 

Një studim mjaft interesant është botuar së fundmi i cili rendit disa nga qytetet më ‘arrogante’ në botë për vitin 2022.

Në sondazhin e tyre vjetor, Time Out Magazine anketoi më shumë se 27,000 banorë nga qytete të ndryshme të botës nga Melburni në Madrid, Çikago në Kopenhagën dhe Tel Avivi në Tokio për të arritur në disa përfundime vërtetë intriguese.

Sipas mijëra njerëzve që morën pjesë në këtë indeks, Miami u emërua qyteti i tretë më i vrazhdë në botë, i pasur nga Hong Kongu në vendin e dytë dhe Berlini në të parin!

Tre qytetet më të ‘vrazhda’ janë gjithashtu disa nga metropolet më tërheqëse dhe të avancuara për sa i përket artit, teknologjisë, ushqimit e aktiviteteve kulturore.

Ndërkohë, Manila – kryeqyteti i Filipineve – u votua si qyteti më pak i vrazhdë në botë.

Por pse pikërisht Berlini?

Mesa duket, nuk duhet të habitemi aspak.

Të qenurit ‘arrogant’ është një karakteristikë që vjen bashkë me të qenit një Berliner – dhe këta të fundit, e veshin këtë pjesë të personalitetit të tyre me shumë krenari!

Dhe pse është Berlini kaq krenar për ‘vrazhdësinë’ e tij?

Në fakt, është mjaft e thjesht.

Në kryeqytetin gjerman, vrazhdësia është pjesë e përditshmërisë. Madje atje ekziston edhe një term për këtë dhe ai është pikërisht: Berliner Schnauze

Berlinezët janë krenarë për Schnauze-n e tyre: fjalë për fjalë ‘feçkë’ ose ‘noçkë’ që në shqip do të përngjasonte me shprehjen ‘turivarur!’ apo ‘Mos i var turinjtë!’ – një shprehje që me sa duket nuk duhet t’ia themi kurrë një Berliner-i krenar!

Thuhet se Berliner Schnauze është një shprehje që ka buruar nga dialekti i klasës punëtore në kryeqytetin gjerman.

I karakterizuar nga një ritëm stakato, tinguj të ashpër, ironi thumbuese dhe një urrejtje e veçantë për ‘pozuesit’ apo njerëzit fallco, ky dialekt është shpesh herë mjaft i vështirë për t’u kuptuar edhe nga vetë gjermanët që vijnë nga qytete të tjera.

Historianët e kanë spikatur origjinën e këtij dialekti në periudhën kur Berlini nisi të transformohej në një qytet modern industrial. Popuj të ndryshëm europian migruan në Berlin duke bërë që ky dialekt kaq i veçantë të huazonte fjalë e tinguj nga gjuhë të tjera, nga frëngjishtja e deri tek jidish apo yiddish – një gjuhë e folur nga hebrenjtë që jetonin në Europën qendrore dhe atë lindore përpara Holokaustit.

Pra, herën tjetër që jeni në Berlin, bëni kujdes pasi në sondazhin e Time Out Index, plot 55% e berlinezëve të anketuar e përshkruan qytetin e tyre si të pasjellshëm, ama duket qartë që shumica e tyre nuk e shohin aspak këtë karakteristikë si diçka negative, madje ata krenohen me të qenurit një Berliner Schnauze!