Sport E frikshme për krejt botën, ja si do të ishte Juvja me...

E frikshme për krejt botën, ja si do të ishte Juvja me trajner Guardiolën

Juventusi po përgatitet t’i shtojë përpjekjet për t’u bërë skuadra më e madhe në botën e futbollit, duke përfshirë Pep Guardiolën në drejtim. Përveç trajnerit katalanas, bardhezinjtë do të bënin edhe transferime të mëdha lojtarësh si pjesë e këtij plani ambicioz. Për të gjitha këto, tabloidi britanik, “The Sun”, mundohet të hedhë dritë paraprakisht. Një numër lojtarësh kryesorë raportohet se po ndihen të pakënaqur në ekipet e tyre të tanishme dhe mund të duan të bashkohen me trajnerin spanjoll në Torino. Fillimisht, “Zonja e Vjetër” po përgatit terrenin për të marrë Guardiolën nga Manchester City këtë verë.

Pep do ta mirëpriste ndryshimin e ajrit, pas katër vitesh të ngarkuara në “Emirates”. Drejtimi i “qytetarëve” edhe në sezonin 2020-2021 do të thotë se 49-vjeçari do të kalonte më shumë kohë në Premier League sesa si trajner i skuadrës së parë të Barcelonës apo Bayern Munich. Juventusi, një nga klubet më të pasura në botë, ka potencialin t’i sigurojë atij të gjitha transferimet e mëvonshme. Lionel Messi thuhet se është i pakënaqur me situatën te Barcelona dhe mundësia për t’u ribashkuar mentorit të tij të vjetër mund ta intrigojë.

Në të vërtetë, kjo do të nënkuptonte bashkimin e argjentinasit në një ekip me Cristiano Ronaldo, rivalin e vet më të madh prej më shumë se një dekade. Një mundësi, që mund ta emocionojë 32-vjeçarin, teksa po planifikon vitet e fundit të karrierës së tij. Yjet aktualë të bardhezinjve si Miralem Pjanic, Paulo Dybala dhe Leonardo Bonucci, të gjithë mund të presin të qëndrojnë në ekipin bardhezi, pasi i përshtaten stilit të lojës së Guardiolës. Për më tepër, portieri Wojciech Szczesny nuk do të prekej, vetëm se Pep do të merrte me vete Claudio Bravo si zëvendësues, për hir të kohërave të vjetra.

Një tjetër lojtar i Manchester City, Leroy Sane, është duke kërkuar një klub tjetër, ndaj ende nuk ka rinovuar me Manchester City. Edhe ai mund të joshej nga kalimi në Serie A, ndërsa Juventusi është shumë i mirë për t’u hedhur poshtë. Kjo hipotezë ka vlerë nëse Guardiola i garanton gjermanit një vend në krahun e majtë, në një sulm kaq tronditës te bardhezinjtë. Sikurse dihet, edhe Bayern Munich po e ndjek atë.

Një shtesë tjetër mund të bëhej në krahun e djathtë të mbrojtjes, disi problematik në kohët e fundit. Kontrata e Thomas Meunier te PSG skadon së shpejti dhe belgu atletik do të kërkohet shumë gjatë verës.