Opinione E ka fajin sistemi!

E ka fajin sistemi!

Nga Lutfi Dervishi

Nga Lutfi Dervishi

E diela sot nisi me vizitën në një dyqan celularësh për të ndërruar kartën e dëmtuar SIM. Njeriu, mund të jetojë 2-3 ditë pa ujë, 2-3 javë pa ngrënë dhe vetëm 2-3 orë pa celular. Këtë thotë shkenca.

U futa në dyqan me mendimin se ashtu sikundër më kishte ndodhur disa vite më parë e gjithë procedura do të shkonte maksimumi 2-3 minuta dhe kështu do të isha brenda kufirit që shkenca thotë se mund të qëndroj pa celular.

Vajza që shërbente në sportel më priti e ngrysur, por pasi mori e dha me kompjuterin për disa minuta më buzëqeshi me ëmbëlsi, tundi kokën lehtë majtas dhe më tha: më vjen keq duhet të vish më vonë se nuk punon sistemi! Ma dha këtë kumt a thua se isha me fat që do të kthehesha sërish në dyqan.

Si nuk punon sistemi? Ka lidhje vetëm me mua apo nuk punon për të gjithë?!

Ka një problem në sistem dhe duhet ta provojmë më vonë.

Kur duhet të kthehem?

Nuk di ta them tani. Do të njoftojmë me celular sapo të punojë sistemi.

Si do të më njoftoni me celular…

Do të njoftojmë me email, – tha dhe i vuri pikë bisedës.

Dola nga dyqani duke marrë frymë thellë. Fytyra ime ishte e ngjashme me fytyrën e kujtdo që ka harruar celularin në shtëpi.

Janë tri fjalë, vetëm tri fjalë që më trembin më shumë se 3 goditjet e para të tërmetit të së shtunës së kaluar: NUK PUNON SISTEMI!

Frika nga këto tri fjalë duhet të ketë zënë rrënjë nga shërbimi OSHEE-së. Sa herë kisha një problem aty- të njohur dhe të panjohur më thonin: do të ndihmonim me gjithë qejf, ti e di që për ty unë bëj gjithçka, por kjo është e pamundur, është futur në sistem dhe nuk mund të bëjmë dot gjë. As drejtori vetë nuk bën dot gjë. Është futur në sistem. Na vjen keq!

Aq shumë mu ngulitën në mendje këto tri fjalë sa për vite të tëra i përdora si fjalëkalim për emailin.

Futja në sistem për mua do të thotë: të kesh ngritur një sistem për të zgjidhur punët, dhe jo për të bërë ta bërë të pamundur zgjidhjen. (Fjalori shpjegues bashkë me ilustrimet më jep të drejtë: “Sistem: një set rregullash dhe procedurash me të cilin kryhet punë;një metodë apo një skemë e organizuar; sistem multi partiak qeverisje)

Ndryshe nga OSHEE-ja me ujësjellësin gjithçka është më e thjeshtë. Sinqeriteti tyre është befasues: Të paktën janë bindës dhe nuk të lënë hapësirë për debat kur ngrenë hapin duart dhe mbledhin supet duke të thënë: “nuk kemi sistem”.

Duke dalë nga dyqani celularit tabela përballë ishte një thirrje për të denoncuar korrupsionin. Mu kujtua kryeministri që në mënyrë të përsëritur madje duke ngritur edhe zërin thotë: nuk është çështje njeriu, por sistemi! Merr gjermanin më të mirë vendose në Shqipëri dhe do të korruptohet. E ka fajin sistemi! Pikë!

Korrupsionin më mirë se kushdo e luftojnë gjykatat, por sistemi drejtësisë nuk funksiononte ose më saktë funksiononte vetëm për vete. Sistemi i ri që po ngremë do të jetë krejt ndryshe!

E ka fajin sistemi!

Ky është dhe konkluzioni pothuaj unanim i të gjithë pjesëmarrësve në tryezën e OSBE-ODHIR për zgjedhjet. Fajin e ka sistemi!

Pothuaj të gjithë kryetarët e partive pjesëmarrës në tryezë vijnë nga sistemi kaluar – por për ta dhe për të tjerë fajin pse shkojnë gjërat së prapthi në këtë vend e ka sistemi!

Ballafaqimi me të shkuarën nuk është një sport që pëlqejnë të gjithë. Edhe kur këmbëngul për të hapur një debat për krimet e së shkuarës përgjigja në rastin më të sjellshëm është: Ehhh ke të drejtë, por i tillë ishte sistemi! Sistemi….

E mbani mend besoj kur u grabitën 10 milionë euro në aeroport?

E gjetëm fajtorin brenda 2-3 orësh. “Nuk ka funksionuar sistemi…i sigurisë”!

Duke u endur me këto mendime shoh një dyqan tjetër celularësh dhe thashë t’i jap edhe një shans tjetër sistemit. Fundja e diel është sot.

A mund të ndërroj kartën e celularit që është e dëmtuar?

Po, letërnjoftimin dhe 400 lekë!

Brenda 30 sekondash, celulari u aktivizua si me magji.

Mbeta si guak. I pafuqishëm për të artikuluar edhe një falenderim, gëlltitem disi dhe pasi marr frymë thellë e pyes:

Më falni: a nuk ka patur një problem sot sistemi tek ju – pyetjen e shoqëroj me vështrim ngultas për të kuptuar nëse do të më jepte një përgjigje të vërtetë. Tek e fundit para 5 minutash më ishte thënë shkurt dhe shqip: “nuk punon sistemi”.

Vajza më pa vëngër dhe më tha: – Sot është e diel! Për ju është ditë pushimi, por unë e kam ditë pune dhe nuk kam nge për llafe. E ke telefonin në rregull?

Shumë në rregull.

Atëherë kalofsh një të diel të qetë.

Dola nga dyqani i lumtur që celulari punon sërish, por pyetja që më ka mbetur si gozhdë në kokë është: pse nuk punoi sistemi te dyqani parë?!!