Aktualitet E kërcënuan me video intime dhe abuzuan seksualisht me një 15-vjeçare, 4...

E kërcënuan me video intime dhe abuzuan seksualisht me një 15-vjeçare, 4 në pranga

Një ngjarje e rëndë u raportua nga Policia e Tiranës këtë të shtunë. Një vajzë 15-vjeçare u abuzua seksualisht me dhunë nga një burrë 65-vjeçar dhe 3 persona të tjerë të moshës, 20, 16 dhe 15 vjeç.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, fillimisht autoritetet morën informacion se 65-vjeçari me iniciale A.D kishte abuzuar seksualisht me një të mitur. Pasi e identifikoi, policia e vuri atë në pranga.

Hetimet zbuluan se pasi kishte abuzuar me dhunë me të miturën, ai i kishte bërë video intime. Këtë video ia kishte dhënë tre personave të tjerë, K.P., 20 vjeç,  R.O., 16 vjeç dhe F. B., 15 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kryen gjithashtu marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën.

Edhe në këtë rast, 15-vjeçares iu bë video intime dhe ajo u kërcënua se pamjet do t’i shpërndaheshin personave të tjerë. Në këtë pikë ishte Policia Kriminale e cila ndërhyri duke arrestuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje tronditëse.

Në njoftimin për mediat, Policia e Tiranës sqaron gjithashtu se “në dhomën e intervistimit të të miturve dhe në prezencë të nënës, psikologes dhe avokates, specialistët për Hetimin e Krimeve nën drejtimin e Prokurorit, kanë administruar dëshminë e vajzës dhe të gjitha provat që implikojnë personat e lartpërmendur. Gjithashtu është bërë e mundur të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhe dy telefona celular në të cilët ndodheshin videot”.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi i shtetasve A.D., K.P., R.O. dhe F.B., për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, ”Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç”, “Shtytja e të miturve në krim” dhe “Vepra të turpshme”, të gjitha kryer në bashkëpunim”, sqarohet në njoftim.

Policia thotë gjithashtu se në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë rast të abuzimit seksual me dhunë me të mitur.