Sport E kryer, Juventusi e gjen në Bundesligë përforcimin për Allegrin

E kryer, Juventusi e gjen në Bundesligë përforcimin për Allegrin

Juventusi ka arritur të sigurojë një tjetër transferim në merkaton verore. Filip Kostic i Eintrachtit të Frankfurtit do të jetë nënshkrimi i radhës për Zonjën e Vjetër.

Klubi italian do të paguajë 17 milionë euro (përfshirë bonuset) për kartonin e Kosticit dhe vetë kubi gjerman e ka konfirmuar që ai nuk do të udhëtojë drejt Helsinkit për finalen e Superkupës së Evropës përballë Realit të Madridit.

Në garë për shërbimet e 29-vjeçarit ishte dhe West Hami, por lojtari me origjinë serbe e kishte kthyer në prioritet transferimin në Itali.

Kostic do të bëhet transferimi i katërt i bardhezinjve, pasi më parë drejtuesit kanë siguruar Pogbanë, Di Marian dhe Bremerin.

29-vjeçari është pjesë e Eintrachtit që prej vitit 2018 dhe në të gjitha sezonet ka qenë pjesë e rëndësishme e organikës së klubit. Në sezonin e fundit Kostic shkroi historinë me klubin Gjerman, pasi fituan trofenë e Europa League-s dhe tani lojtari do të nisë një eksperiencë të re në karrierë, e para në Serinë A.