Politika E larguar prej vitesh në Zvicër, Floriana Garo tregon pse u kthye...

E larguar prej vitesh në Zvicër, Floriana Garo tregon pse u kthye si zëdhënëse e PD

E larguar prej disa vitesh në Zvicër ku jeton me familjen, moderatorja Floriana Garo ka vendosur që të rikthehet sërish në Shqipëri. Këtë herë jo për ekranin, por për politikën. Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” me Orinda Hutën, që më parë e ka drejtuar vetë ajo, Garo tregon pse ka zgjedhur që të përfshihet në politikë.

Tashmë me rolin e zëdhënëses të fushatës së Partisë Demokratike, Floriana Garo tregon se propozimi për të qenë pjesë e selisë blu i kishte ardhur nga Lulzim Basha.

Orinda Huta: Kishe menduar ndonjëherë për këtë rikthim, që do ishe këtu në selinë e Partisë Demokratike dhe rikthim në Shqipëri?

Floriana Garo: Sigurisht e kisha menduar, përpara se të rikthehesha e kisha menduar, se do isha pikërisht në këtë vendin ku është foltorja e deklaratave dhe unë gati në përditshmëri këtë se kisha menduar. Por e kisha menduar se do isha pjesë e Partisë Demokratike, me dëshirën time për të bërë mirë, për t’u rikthyer dhe për të bërë atë që unë mund të bëj më mirë dhe për të sjell një ndryshim për vendin.

Orinda Huta: Ka qenë një propozim i zotit Basha?

Floriana Garo: Ka qenë propozim ky rol që unë kam, sigurisht që dëshira ime ka qenë që të rikthehesha për kontribuuar. Ai më ka parë më mirë në këtë rol, ku mund të jepja kontributin tim, duke qenë këtu aq më shumë jam dakord pasi e ndjej që këtë pjesën e imazhit e kam shumë të mirë dhe përcjellës i mesazhit.

Orinda Huta: Në fakt ishte shkëputur prej kohës dhe ishte larguar në Zvicër e nuk mendoje që do vije për PD-në, në një intervistave që ke dhënë më parë ke thënë që do riktheheshe në ekran për një emision serioz.

Floriana Garo: Kjo është një ndër intervistat, por sigurisht që nuk e kisha të qartë që do vija për politikën në Shqipëri, por që e kam parë veten në fushën e politikën e kam parë edhe më herët. Sigurisht që këtë mendim e kam ndarë me shumë pak njerëz, pasi mendoj që është një fushë shumë e rëndësishme  për të ndikuar dhe për bërë ndryshim në jetën e njerëzve. Por unë e kam thënë që televizionin e kam pasur pasion dhe të qenurit në ekran.