Bota “E-mail”-et private, Clinton Kulmi i hipokrizisë

“E-mail”-et private, Clinton Kulmi i hipokrizisë

“Kulmi i hipokrizisë”. Ky ka qenë komenti i ish-kandidates presidenciale demokrate Hillary Clinton për raportet, sipas të cilave 6 zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nën drejtimin e Donald Trump kanë përdorur “e-mail”-et private për punë zyrtare.

Trump ka kritikuar ashpër përdorimin e “e-mail”-it privat të Clintonit, kur ajo ishte Sekretare Shteti, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.

Dhëndri i tij, Jared Kushner ka pranuar se ka përdorur “e-mail”-in e tij privat, ndërsa edhe 5 ndihmës të tjerë duket se kanë bërë të njëjtën gjë.

Sipas “New York Times” bëhet fjalë për Steve Bannon, ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë; Reince Priebus, ish-shefi i stafit; si dhe këshilltarët Gary Cohn dhe Stefen Miller. Ndërsa revista “Newsweek” përmend edhe Ivanka Trump.

Kongresi i ka kërkuar tani Shtëpisë së Bardhë të japë detaje mbi këtë praktikë. Duke folur për një radio amerikane, Clinton tha se ky është kulmi i hipokrizisë. Sipas saj, administrata “Trump” e dinte se nuk kishte baza për tejfryrjen e aferës së “e-mail”-eve të saj.

“Është diçka që, nëse ata do të kishin qenë të sinqertë, anëtarët republikanë të Kongresit do të kërkonin një hetim”, shtoi ajo.

Ish-kandidatja demokrate shtoi se, përdorimi i një serveri privat në Departamentin e Shtetit ishte një gabim nga pakujdesia, që nuk duhej të merrte përmasat e një skandali, e shtoi se ajo ndihet keq për faktin që amerikanët e kanë përjetuar atë.