Politika E marta e ngarkuar në Bruksel, diskutohet fati i Shqipërisë dhe i...

E marta e ngarkuar në Bruksel, diskutohet fati i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut  

E marta do të jetë një ditë mjaft e ngarkuar në Bruksel, me një sërë aktivitetesh në agjendë. Në këtë ditë do të zhvillohet Këshilli i parë për këtë vit i Ministrave të BE-së për çështjet e përgjithshme, në të cilin Presidenca kroate do të paraqesë përparësitë për gjashtë muajt e ardhshëm në krye të Unionit.

Zgjerimi dhe ambicia e kroatëve për dritën e gjelbër për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këshillin e marsit do të jetë një prej temave që do të shpalosen nën kapitullin Një Evropë më e fortë në botë. Plani i deritanishëm është arritja e një ekuilibri për të bindur vendet dyshuese me metodologjinë e re, duke shtuar vlerësimin e ecurisë së reformave deri sot, pas propozimeve dhe raportit të ndërmjetëm në muajin shkurt nga Komisioni Evropian.

Gjithashtu të martën në Bruksel do të jetë në një vizitë zyrtare edhe kryeministri Edi Rama, i cili do të pritet në një darkë pune nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen. Temat e pritshme të diskutimit do të jenë Konferenca e donatorëve e 17 shkurtit dhe ecuria e procesit të zgjerimit.

Kryetarët e parlamenteve të Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të mblidhen po të martën për të diskutuar perspektivat evropiane për Ballkanin Perëndimor. Atyre do tu bashkohet edhe kryetari i Parlamentit të Kroacisë, vendi që aktualisht mban Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.