Bota E mendonin të vdekur, gruaja mbijeton 4 muaj në kanion duke ngrënë...

E mendonin të vdekur, gruaja mbijeton 4 muaj në kanion duke ngrënë bar dhe myshk

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Utah të Shteteve të Bashkuara, ku një 47-vjeçare ka mbijetuar 4 muaj në një kanion të humbur, duke ngrënë vetëm bimësinë e rrallë që ndodhej aty, bar dhe myshk, dhe ujin e një përroi.

Gruaja, identiteti i të cilës nuk është bërë ende i ditur, ishte zhdukur 4 muaj më parë, dhe kërkimet kishin filluar që kur autoriteteve i kishte bërë përshtypje automjeti i saj i parkuar për kohë të gjatë në parkun e izoluar, i quajtur Diamond Fork Canyon, që do të mbyllej gjatë sezonit dimëror.

Asnjë denoncim nuk kishte ardhur kështu që misteri i automjetit u harrua, deri në rihapjen e parkut, pak ditë më parë. Gjatë inspektimit të territorit me reliev të vështirë, policia pyjore gjeti një çadër kampingu të vogël me gruan në brendësi, në gjendje të vështirë shëndetësore dhe dukshëm nënpeshë, por jashtë rrezikut për jetën.

Gruaja u transportua në spital ku tregoi për historinë e saj, edhe pse ende në gjendje konfuze.

Gruaja i ka rezistuar dimrit të ftohtë të kanioneve dhe ushqimit tejet të kufizuar, edhe pse rrëfeu që disa turistë i kishin lënë në fillim disa ushqime.

Sipas autoriteteve gruaja, që nuk rezulton të ketë një familje që ta kërkojë, mund të mos ketë humbur, por të ketë vendosur të rrijë aty disa kohë dhe më pas të ketë llogaritur keq forcat fizike, duke mos pasur më fuqi për të kërkuar ndihmë.