Kryesore E nxorën në pritë dhe e ndoqën në këmbë, si u ekzekutua...

E nxorën në pritë dhe e ndoqën në këmbë, si u ekzekutua 66-vjeçari në mes të Tiranës

Nga Xhensila Kodra – Abc News

Një 66-vjeçar i identifikuar si Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e kësaj të enjte teksa lëvizte në këmbë pranë piramidës. Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa viktima ishte person me precedent të theksuar kriminalë në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogërave të forta.

66-vjeçari me origjinë nga Berati e banues në Tiranë ka dalë nga shtëpia dhe është ulur në një lokal pranë rrugës së Elbasanit. pas disa minutash ai është çuar për të takuar një mikun e tij.

Rrugës u qëllua me dy plumba, një në qafë e një në kraharor. Hetuesit kanë dyshime se Behar Sofia është nxjerrë në pritë. Pas kqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë, është konfirmuar se autori e ka ndjekur në këmbë për rreth 40 metra. Pasi i është afruar, e ka qëlluar me pistoletë me silenciator.

Ishte i veshur me rroba të errëta, në kokë mbante një kapuç dhe në fytyrë kishte maskë anti Covid. Pasi krye krimin, autori është larguar në drejtim të një rrugice, pranë rrugës së Elbasanit. Gjatë kësaj kohe ka pasur prezencë të efektivëve të policisë rrugore për të menaxhuar trafikun.

Kanë qenë kalimtarët e rastit që kanë njoftuar policinë për një trup të shtrirë e të gjakosur në trotuarin pranë Lanës. 66-vjeçari humbi jetën gjatë rrugës për në spitalin e Traumës. Viktima jetonte pranë rrugës së Elbasanit. Ai kishte 3-4 ditë që kishte kaluar Covid ç’ka ka ngritur dyshimet e policisë se atentatori ka pasur dijeni për këtë fakt.

Policia shoqëroi për të marrë në pyetje disa persona, për të cilët kanë dyshime se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.